
Dështimin për zgjedhjen e Avokatit të Popullit në procesin e parë, Klotilda Bushka ia faturoi opozitës. Në Intervistën me Merita Haklajn, ajo tha se gara ishte konkurruese dhe kandidatët kaluan të gjithë në komisionin e ligjeve, por opozita i tërhoqi ditën e votimit dhe la ata kandidatë për të cilët grupet kishin vënë disa kufizime.
“Avokati i Popullit është një proces sa parlamentar aq edhe politik, duhet të ketë dakordësi politike të gjerë që të zgjidhet. Ishin më shumë se 6 propozime dhe ishte një garë konkurruese. Kandidatë nga komisioni i ligjeve kaluan të gjithë. Opozita i tërhoqi kandidatët ditën e votimit dhe la ata kandidatë për të cilët grupet kishin vënë disa kufizime. Në një proces parlamentar nuk duhet të tërhiqen firma PD i dha mbështetje dhe më pas i tërhoqi. Ai proces përfundoi pa zgjidhje, por nuk i kishim asnjë borxh ne të mazhorancës grupit opozitës”.
Ajo tha se procesi do të nisë nga e para, por diskutimet për këtë çështje nuk kanë nisur ende.
“Tani është procesi tjetër ka shumë kandidatë të respektuar do të duhet ta bëjmë procesin edhe njëherë. Do të duhet të mbështeten me 28 firma në komisionin e ligjeve. Nuk kemi filluar ende diskutimet për këtë çështje”.
Bushka u pyet edhe për mandatin e Olta Xhaçkës, pas kërkesës në Gjykatën Kushtetuese të opozitës. Ajo u përgjigj se Këshilli i Legjislacionit do të mblidhet dhe të shohim detyrimin përkatës dhe si me çdo vendim tjetër.
Ndërsa për amnistinë fiskale ajo ripërsëriti qëndrimin e saj se është e domosdoshme në ekonominë shqiptare pas tërmetit dhe pandemisë. (A2 Televizion)