
Kush mendonte se fitorja e Lazio-s kundër Juventusit në kampionat me rezultatin 3-1 ishte një rastësi, sot duhet të heshtë. Ekipi nga kryeqyteti shënoi një tjetër fitore shumë të rëndësishme ndaj kampionëve të Italisë me të njëjtat shifra, e cila kësaj radhe iu dhuroi dhe një trofe.
Djemtë e Inzaghit fituan me rezultatin 3-1 në finale e Riyadit në Arabinë Saudite, duke i lënë të zhgënjyer bardhezinjtë.
Lazio kaloi e para në avantazh me një gol Luis Alberto në minutën e 16 të takimit. Në minutën e fundit të pjesës së parë vjen dhe barazimi i Juventusit me Dybala, i ndihmuar dhe nga një gabim i mbrojtjes kundërshtare.
Në pjesën e dytë ndodh dhe e papritura. Kur të gjithë mendonin për një ngritje të lojës së bardhezinjve vjen dhe goli i avantazhit për kryeqytetasit falë një supergoditje nga Luliç në minutën e 73.
Juventus hidhet në sulm për të barazuar, por një Strakoshë në formë të jashtëzakonshme bëri që rrjeta të mos tundej në anën e lacialëve. Në minutën e 94 vjen dhe goli i tretë për Lazion me një goditje dënimi nga jashtë zonës të Cataldit. (A2 Televizion)