Lefter Maliqi çon në SPAK të gjithë funksionarët e KZAZ-së Kuçovë

Nga A2 CNN
19 Maj 2023, 13:10 | Politikë

Lefter Maliqi, kandidati i koalicionit "Bashkë Fitojmë", ka bërë kallëzim penal në SPAK për funksionarët e KZAZ-së në Kuçovë.

Ai i akuzon funksionarët e KZAZ-së për manipulim të zgjedhjeve të 14 majit. Maliqi i akuzon se kanë manipuluar dhe falsifikuar materialet zgjedhore.

Maliqi pretendon se gjatë procesit ka pasur probleme me kamerat e sigurisë në pjesën më të madhe të qendrave gjatë paradites së të dielës.

Maliqi reagoi ashpër menjëherë pas shpalljes së rezultatit në Kuçovë. Ai akuzoi kundërshtarin e tij se ka blerë votat. Ai deklaroi se votat janë manipuluar nga deputeti socialist, Bardhyl Kollçaku, por nuk ngurroi të akuzonte edhe Policinë e Shtetit, duke e bërë bashkëfajtore në këtë rezultat.

Maliqi shtoi se ai ka vënë në dijeni për të gjitha këto shkelje edhe OSBE/ODIHR-in, ndërsa tha se do t’i shkojë deri në fund kësaj, duke mos u dorëzuar deri në daljen e rezultatit real. Kujtojmë se, diferenca e votave mes Maliqit dhe kandidatit socialist është pak më shumë se 200 vota. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos