
7 korriku shënoi edhe fundin e një legjislature anormale në politikën shqiptare. Kuvendi prej 122 deputetësh pushoi në funksionuari dhe parlamentarët morën pushimet. Disa të përhershme në politikë e disa të përkohshëm, në pritje të muajt shtator për t’u rikthyer sërish në sallën e Kuvendit.
Kjo legjislaturë ishte produkt i zgjedhjeve të 2017, që pasuan marrëveshjen politike Rama-Basha, ku nën zë dëgjohej fjala “bashkëqeverisje”.
Por fletët e votimit prodhuan diçka tjetër, një Parti Socialiste më të fortë që mori pushtetin e vetme dhe një PD të shkërmoqur në vota.
Bashkëjetesa në sallë e Kuvendit ishte e pamundur për një opozitë që ndjehej e injoruar, ndërsa mazhoranca me forcën e kartonit nisi të ngrejë e të plotësojë organet e reja të drejtësisë.
Në mungesë të debateve, salla plenare u kthye në arenë përplasjesh fizike.
Miratimi i ligjit special për teatrin, në vjeshtën e 2018, që u rrëzua nga pak ditë më parë nga Kushtetuesja, solli bojkotin parlamentar të opozitës, që në janar do të kthehej në dorëzimin e mandateve.
“Me votë unanime u miratua vendimi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike për djegien e mandateve”, do të shprehej Basha në atë kohë.
Tensionet u transferuan në rrugë përballë zyrës së Kryeministrit.
Me darkordësinë edhe të ndërkombëtarëve, mazhoranca në Kuvend nisi procesin e zëvendësimit të vakancave. Në parlament filluan të vinin deputetë të rinj që ishin poshtë listës fitues të PD-së dhe LSI-së duke plotësuar pjesërisht karriget e tyre.
Ardhja e këtyre deputetëve u cilësua nga mazhoranca si opozita parlamentare duke injoruar aksionin e PD-së dhe LSI-së. Shpejt u duk qartë se opozitë ajo kishte vetëm emrin. Bashkëpunimin me të në miratimin e shumë akteve, çdo mazhorancë do ta kishte zili.
Me ndihmën e tyre, socialistët plotësuan votat që i duheshin për miratimin e akteve si Prokurori i Përgjithshëm, 3 anëtarë në Gjykatën Kushtetuese, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe dy herë Kodin Zgjedhor, duke e përshtatur atë sipas interesave të veta elektorale.
E paprecedentë ishte edhe bashkimi i votave për shkarkimin e Presidentit të Republikës.
Prej dy vitesh parlamenti është etiketuar nga Presidenti dhe Partia Demokratike si ilegjitim, kjo për shkak se nuk njohën ata që i zëvendësuan në karrige. Por deputetët që mbyllën ciklin e tyre si lojtarë të ardhur nga stoli kanë një qasje tjetër.
Puna e parlamentarëve shënoi fundin. Temperaturat e nxehta të verës duhet të relaksojnë partitë politike ku në shtator rinis gjithçka aty ku u la në vitin 2017, tek reforma zgjedhore, ku opozita do të futet në sallë duke akuzuar PS-në se rimori pushtetin përmes një masakre zgjedhore. (A2 Televizion)