Ushtria izraelite tha se do të hapte një rrugë të re për 48 orët në vijim, të cilën palestinezët mund ta përdorin për tu larguar nga qyteti i Gazës, teksa shton përpjekjet për të boshatisur qytetin nga civilet dhe për tu përballur me luftëtarët e Hamasit.
Qindra mijëra njerëz gjenden ende në qytet dhe shumë po hezitojnë të ndjekin urdhrat e Izraelit për të lëvizur më në jug për shkak të rreziqeve përgjatë rrugës, kushteve të mjerueshme dhe mungesës së ushqimit.
Të paktën 63 persona u vranë në sulmet izraelite gjatë së mërkurës, shumica e të cilëve në qytetin e Gazës ku Izraeli ka nisur ofensivën tokësore për pushtimin e plote.
Hamasi ndërkohë ju përgjigj paralajmërimit të Trump se do të hapte portat e ferrit nëse militantët do të përdornin pengjet si mburoja njerëzore. “Nuk kemi frikë. Nuk na mëson ai se si të trajtojmë pengjet armike. Kush do lirimin e pengjeve të urdhërojë Netanjahun të ndalë luftën“, tha një zyrtar i Hamas.
Shefja e diplomacisë së bllokut, Kaja Kallas propozoi të mërkurën një paketë sanksionesh kundër izraelit për sulmet në rripin e gazës. Ajo përfshin pezullim të marrëveshjeve për tregtinë e lirë me Tel Avivin po nuk ka mbështetje të mjaftueshme mes shteteve anëtare të BE për ta miratuar.
“Ofensiva e qeverisë izraelite në Qytetin e Gazës është një përshkallëzim i ri i luftës dhe do ta thellojë më tej krizën humanitare. Sot, unë paraqita një paketë të fuqishme sanksionesh ndaj terroristëve të Hamasit, ministrave ekstremistë në qeverinë izraelite dhe kolonëve të dhunshëm dhe subjekteve që mbështesin pandëshkueshmërinë në Bregun Perëndimor. Komisioni miratoi një propozim për të pezulluar pjesërisht koncesionet tregtare. Qëllimi nuk është të ndëshkohet Izraeli. Qëllimi është të përmirësohet situata humanitare në Gaza. Të gjitha shtetet anëtare bien dakord se situata në Gaza është e paqëndrueshme. Lufta duhet të marrë fund. Vuajtjet duhet të ndalen dhe të gjithë pengjet duhet të lirohen. Ne duhet të përdorim të gjitha mjetet që kemi për këtë rezultat. Gjithashtu nuk duhet të harrojmë zhvillimet e rrezikshme në Bregun Perëndimor që zvogëlojnë qëndrueshmërinë e një zgjidhjeje me dy shtete”, tha Kallas. (A2 Televizion)