Që nga fillimi i shekullit të 20-të, vizitat e presidentëve amerikanë në Britani kanë qenë jo thjesht udhëtime zyrtare, por një reflektim i raporteve të ngushta mes dy vendeve dhe i rolit të tyre në skenën ndërkombëtare.
Në vitin 1918, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Woodrow Wilson u prit nga Mbreti George V në Buckingham Palace, duke u bërë presidenti i parë amerikan që qëndroi në rezidencën mbretërore të Londrës.
Ai udhëtoi me karrocë të tërhequr nga kuajt përgjatë The Mall, nën sy të turmave që e përshëndetën. Gjatë kësaj vizite, Wilson u takua gjithashtu me kryeministrin David Lloyd George në Manchester dhe vizitoi qytete të tjera si Carlisle, duke forcuar lidhjet diplomatike mes dy vendeve në një periudhë vendimtare për rikthimin e paqes në Evropë.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Harry Truman vizitoi Britaninë në 1945 për një takim informal me Mbreti George VI në bregdetin e Plymouth, menjëherë pas Konferencës së Potsdamit, ku diskutohej fundi i luftës dhe termat e saj.
Takimi i Trumanit u zhvillua mbi bordin e anijes U.S.S. Augusta, duke treguar se aleanca transatlantike kishte nisur të merrte formë edhe në nivel simbolik. Në vitet e mëvonshme, Dwight D. Eisenhower zhvilloi vizita informale ku takohej me kryeministra dhe me Mbretëreshën Elizabeth, duke përkujtuar edhe 20-vjetorin e sulmit gjerman ndaj Polonisë, që kishte nisur Luftën e Dytë Botërore.
Ndërsa John F. Kennedy u kthye disa herë në Britani gjatë fillimit të Luftës së Ftohtë, duke vizituar vendbanime private si Birch Grove dhe duke marrë pjesë në diskutime mbi kontrollin bërthamor, ndërkohë që protestues me parullat “ban the bomb” prisnin përpara shtëpisë së tij.
Në vitet ’70, presidentë si Richard Nixon dhe Jimmy Carter zhvilluan vizita që shërbyen si shenja të bashkëpunimit në ekonomi dhe diplomaci. Carter, veçanërisht, e konsideroi Britaninë si vendin e parë që vizitoi jashtë Shteteve të Bashkuara, duke e quajtur marrëdhënien mes dy vendeve “të veçantë dhe shumë të çmuar”.
Ronald Reagan, vizitat e të cilit në vitet ’80 shënuan intensifikimin e aleancë santi-komuniste, u prit gjithmonë me ceremoni shtetërore, duke përfshirë udhëtimin në Windsor Castle, ku ai dhe Mbretëresha Elizabeth dhe kryeministrja Margaret Thatcher ndanë një raport të ngushtë mbi ekonominë dhe politikën globale. Vizitat e tij dhe të Thatcherit u shndërruan në imazhin përcaktues të marrëdhënieve britaniko-amerikane gjatë fundit të Luftës së Ftohtë.
Në dekadat e mëvonshme, presidentë si George H. W. Bush, Bill Clinton, dhe George W. Bush vazhduan traditën, duke vizituar Buckingham Palace, 10 Downing Street, dhe pjesëmarrje në samite ekonomike dhe të NATO-s, duke forcuar lidhjen diplomatike dhe ushtarake. Clinton, për shembull, vizitoi gjithashtu Universitetin e Oksfordit për të marrë një gradë nderi dhe për të përkujtuar marrëveshjen e paqes në Irlandën e Veriut. Bush dhe Blair u bënë simbol i një bashkëpunimi të ngushtë mbi luftën në Irak dhe sigurinë globale.
Barack Obama vijoi këtë traditë, duke u bërë presidenti i parë që vizitoi Britaninë për një vizitë shtetërore që nga George W. Bush në 2003. Ai u prit me ngrohtësi nga Mbretëresha Elizabeth dhe kryeministri David Cameron, duke marrë pjesë në samite G20 dhe G8 dhe duke vizituar vende historike si Stonehenge.
Donald Trump erdhi në Britani në 2018, ku u prit nga Mbretëresha Elizabeth dhe inspektoi gardën e nderit në Windsor, por vizita e tij u shoqërua edhe me protestat më të mëdha në Londër ndaj një presidenti amerikan, me rreth 250,000 pjesëmarrës.
Ne vizitën e dytë të Trump shpreson të shfrytëzojë rolin e familjes mbretërore dhe pritjen madhështore, për të forcuar marrëdhëniet në mbrojtje e siguri, veçanërisht nën sfondin e luftës në Ukrainë dhe tensioneve tregtare.
Kjo histori shekullore tregon se vizitat amerikane në Britani nuk janë thjesht udhëtime ceremoniale. Ato janë një ritual diplomatik që ndërthur politikën, strategjinë dhe imazhin publik, duke ruajtur dhe forcuar një lidhje transatlantike që ka mbetur gjithmonë “e veçantë dhe shumë e çmuar”. (A2 Televizion)