Lejeqëndrimi biometrike 5-vjeçare të rinovueshme pa afat, Çuçi u dorëzon kartat e para dy të rinjve nga Kosova

Nga A2 CNN
17 Shkurt 2022, 10:18 | Aktualitet
Lejeqëndrimi biometrike 5-vjeçare të rinovueshme pa afat,

Dy të rinj nga Kosova janë pajisur sot me dy kartat e para të lejeqëndrimit 5-vjeçar në Shqipëri. Ministri i Brendshëm, Blendi Çuçi, zgjodhi ditën e pavarësisë së Kosovës për të dhënë lajmin e zbatimit të marrëveshjes mes dy qeverive. Dy kartat e para, iu dorëzuan Aritës dhe Kushtrimit, dy të rinj nga Kosova që punojnë në Tiranë. Dokumenti biometrik 5-vjeçar i rinovueshëm pa afat është i pajisur me të gjithë elementet e sigurisë dhe shërben gjithashtu edhe si një Leje Pune, ndërsa procedura e aplikimit online është tërësisht e lehtësuar dhe pa dokumente.

“Dy kartat e para të lejeqëndrimit 5-vjeçar të dy shqiptarëve të Kosovës, aplikohet për herë të parë në Shqipëri për të lehtësuar këtë proces në bazë të marrëveshjes me qeverinë e Kosovës për lejeqëndrimet. Kam kënaqësinë sot t’i jap Aritës dhe Kushtrimit kartat biometrike, identike për sa i takon cilësive që kanë ID shqiptare, me të gjitha të dhënat personale të pasqyruara në të dyja çipet e kartës”.

Lejet e qëndrimit biometrik janë gjithashtu edhe leje pune pa qenë nevoja që shqiptarët e Kosovës të marrin një dokument të dytë. Më parë, Shqipëria lëshonte leje qëndrimi në format A4 pa elemente sigurie dhe që duhej rinovuar çdo vit.

“Sot, janë lehtësuar tërësisht procedurat për Lejeqëndrimi, me aplikim online dhe pa dokumente. Dëshmitar për këtë është vetë Kushtrimi që ka hequr kalvarin e shkuarjes nga njëra zyrë në tjetrën çdo një vit për të rinovuar Lejen e Qëndrimit”, tha Çuçi duke iu referuar rastit të Kushtrim Reshitit, të riut nga Kosova i cili ka qenë student në Tiranë dhe në përfundim të studimeve, ka nisur të punojë këtu.

Lëshimi i lejeve biometrike të qëndrimit për shqiptarët e Shqipërisë, ka nisur edhe në Kosovë. Të dyja qeveritë, nënshkruan marrëveshjen në mbledhjen e përbashkët të 26 nëntorit që u mbajt në Elbasan. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos