Sot, Gjykata e Durrësit cakton masat e sigurisë për punonjësit e policisë dhe zyrtarët vendorë që u arrestuan nën dyshimin se kanë shpërdoruar detyrën, duke lejuar abuzime me ndërtimet në zona të ndryshme.
Për të ndaluarit, Gjykata e Durrësit kishte vendosur në mungesë masat e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa sot gjykata vlerëson masën.
Të arrestuarit janë në nivel komisar, nënkomisar dhe inspektorë policie, drejtues të njësive administrative, apo zyrtarë të inspektorateve lokale të mbrojtjes së territorit.
Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se të arrestuarit, gjatë vitit 2019, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë abuzuar me detyrën dhe dyshohet se kishin krijuar një mekanizëm korruptiv. Prokuroria pretendon se ata kanë lejuar ndërtime pa leje, kanë falsifikuar dokumente, kanë fshehur dhe manipuluar ngjarje, kanë penguar zbulimin e të vërtetës dhe fakteve kriminale, si dhe kanë fshehur kallëzimet e qytetarëve, kryesisht për denoncimet e ndërtimeve pa leje.
Seanca po vijon që prej orës 9.30 të mëngjesit. Agim Osmani, një nga të pandehurit, nuk është ndjerë mirë në gjykatë dhe është dërguar në Urgjencë. (A2 Televizion)