
Kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë një tjetër hap për të zgjidhur situatën mes Kosovës dhe Serbisë. Rama njoftoi se i ka dërguar një letër të dytë Presidentit të Francës, Emanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe kërkon prej tyre të shtojnë presionin ndaj Kurtit dhe Vuçiçit.
Po ashtu, Rama kërkon që liderët e Kosovës dhe Serbisë të ulen në bisedime, bashkë me ndërkombëtarët dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët, pasi nga situata mes tyre ndikohet i gjithë rajoni.
Kreu i qeverisë sonë përsëriti se pa lirimin e 3 policëve të Kosovës, “nuk ka mundësi për përparim në dialog”.
“As normalitet në marrëdhëniet Shqipëri-Serbi nuk mund të ketë pa lirimin e tyre. Ata nuk kanë kryer asnjë krim, por edhe nëse e kanë kaluar vijën e kufirit, dihet botërisht që për kalim të paligjshëm të kufirit, njerëzit arrestohen, pyeten dhe kthehen mbrapsht. Mbajtja e tyre me ditë të tëra në burg është e pajustifikueshme”.
Kryeministri Edi Rama
I pyetur se në çfarë pike janë marrëdhëniet me Serbinë dhe presidentin Aleksandër Vuçiç aktualisht, kreu i qeverisë theksoi se pa u liruar tre policët e Kosovës, nuk mund të flitet për asgjë tjetër.
“Fakti që 3 policë në këtë rast janë të Kosovës, janë shqiptarë, të njëjtin qëndrim do të mbajë nëse do të ishin tre policë serbë që po mbaheshin hipotetikisht peng. Ndikon në marrëdhëniet tona dhe kjo tregon që Serbia duhet të angazhohet më seriozisht në marrëdhëniet me ne. Nuk reagon një shtet duke bërë simetri. Një shtet demokratik respekton të drejtat e njerëzve. Pretendimet e saj ka ku t’i adresojë Serbia. Jemi shumë aktivë për lirimin e tyre në disa kanale.”
Kryeministri Edi Rama
Megjithatë, i pyetur nëse ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me homologun serb, Rama nuk pranoi të bënte komente. Nga ana tjetër, Rama pranoi që jo gjithnjë është në një mendje me Albin Kurtin, por shtoi se në këtë rast do të bënte të njëjtat veprime.
“Çdo ditë është shumë e dëmshme për vetë Serbinë, rajonin. Është vetëm keq. Serbia nuk e njeh farë atë kufi? Çfarë ka ndodhur tani? Po njeh kufirin? Kjo është një lajthitje shtetërore. Nuk ka më asnjë zhvillim tjetër në marrëdhëniet tona pa u zgjidhur kjo.”
Kryeministri Edi Rama
Dhe duke u ndalur te Kurti, kreu i qeverisë shtoi se takimi mes tij dhe kryeministrit të Kosovës duhej të kishte ndodhur. Sipas tij, anulimi i mbledhjes mes dy qeverive ishte vendimi i duhur pasi nuk mund të “jepej një shfaqje” sikur gjërat të ishin normale. (A2 Televizion)