
Kreu i opozitës, Lulzim Basha, përmes një letre të hapur për qytetarët, botuar në faqen e tij në Facebook, thotë se qëndrimi i Partisë Demokratike është vetëm një, largimi i Kryeministrit Rama nga detyra.
“Qëndrimi im i prerë dhe i palëkundur është se Edi Rama duhet të largohet menjëherë nga Kryeministër, sepse ai është shkatërrues i zgjedhjeve të lira dhe dhunues i vullnetit të popullit”, shkruan Basha.
Duke listuar rastet që sipas Bashës duhet të kishin bërë që Rama të jepte dorëheqjen, ai shton se dialogu i vetëm që ka nisur, është me njerëzit, të cilët i fton në protestën e të shtunës.
“Vendi ynë ka shumë plagë të thella, të cilat duan ide, vullnet dhe punë të shërohen. Sot, Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të vërtetë politik, ekonomik e shoqëror. Ne duhet të çlirojmë politikën nga paratë e pista dhe autokracia, të çlirojmë ekonominë nga oligarkët, nga monopolet e dhuna shtetërore, të krijojmë mundësi që çdo shqiptar të ketë shanset të gëzojë punën dhe talentin e tij; të krijojmë një shoqëri të drejtë për të gjithë.
Kjo është një sfidë e madhe që na takon të gjithëve, para së gjithash ne politikanëve.
Për këto sfida ne kemi filluar një dialog kombëtar gjithëpërfshirës. Ky është i vetmi dialog që ndryshon Shqipërinë dhe i vetmi dialog ku unë do të jem pjesë.
Prandaj, ju ftoj që të bashkohemi të gjithë në protestat tona për largimin e tij, dhe në dialogun kombëtar për ndryshimin e vërtetë që duhet të sjellim për garantuar të ardhmen Europiane të Shqipërisë”. (A2 Televizion)