
Lia e majmunit vjen si një tjetër shqetësim pas pandemisë nga COVID-19. Por ekspertët e ftuar në emisionin “Debat”, ftojnë popullsinë të mos krijojnë alarmizëm të panevojshëm, për një virus që duket se mund të menaxhohet qetësisht, edhe pse nuk duhet nënvlerësuar, sidomos për disa grupe.
Mjekja Aurora Dollenberg tregon eksperiencën e saj në Gjermani, ku virusi tashmë është i pranishëm. “Rastet janë shumë të pakta, 4 raste në Berlin dhe një në Mynih, të gjithë kanë pasur kontakte me njerëz që kanë qenë në Afrikë, kështu që mendojmë që burimi të jetë vërtetë ai kontinent”, thotë mjekja, që saktëson edhe grupet që duhet të kenë vëmendje të shtuar ndaj kësaj sëmundje.
“Mobilizimi është i përqendruar te ato persona që nuk kanë marrë vaksinën kundër lisë, sepse lia e majmunit është subkategori e saj dhe nuk vaksinohet veçmas. Rreth 87% të gjermanëve e kanë marrë, ajo merret në moshën shkollore, jepet dy herë dhe zgjat gjithë jetën, por ka një 13% të popullsisë që nuk e ka marrë dhe tani është e detyruar që t’i drejtohet qendrave shëndetësore që të marrin dozat apo një nga dozat. Gjeja e fundit që dëshiron çdo qytetarë është të dëgjojnë që duhet bërë një vaksinë tjetër, dhe natyrisht ka skepticizëm. Po behën fushata sensibilizuese për këtë 13% të shtetasve që nuk e kanë vaksinën, por edhe ato që kanë sëmundje kronike ose marrin medikamente të forta”, thotë Dollenberg.
Gjithsesi, sipas epidemiologut Dritan Ulqinaku, lia e majmunit nuk duhet nënvlerësuar. “Është sëmundje që po hulumtohet me intensitet, dhe flitet që mbrojtja e përjetshme nuk ekziston. Në rastet amerikane, 50% i të sëmurëve ishte i vaksinuar. Thuhet se rastet në Europë i përkasin Afrikës Perëndimore, nuk dihet për ndonjë modifikim sepse kjo do të ishte edhe më shqetësuese, por unë nuk besoj se kjo do të ndodhë”, deklaroi mjeku.
E të njëjtit mendim Aurora Dollenberg, që shtoi se “nuk shohim mutacion sepse ky tip virusi nuk e ka të fortë tendencën e mutacionit, prandaj është një virus shumë herë më i dobët se koronavirusi. Kalon me një terapi të zakonshme ibuprofeni, me suplemente vitaminash dhe me lëngje të shumta, si simptomat e lehta të COVID-19”.
Një tjetër element që shmang përhapjen, sipas mjekëve, është fakti se mungojnë personat e infektuar por asimptomatike, diçka që e bën të lehtë gjurmimin. (A2 Televizion)