“Gërdeci” çon Shkëlzen Berishën në SPAK: Nuk ndihem i rrezikuar, dëshmia ime nuk i ndihmon hetimet

Nga A2 CNN
26 Janar 2023, 12:03 | Politikë
“Gërdeci” çon Shkëlzen Berishën në SPAK:

15 vjet pas shpërthimit të Gërdecit, Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme pikërisht për të dhënë shpjegime për këtë tragjedi, ku humbën jetën 26 persona nga shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve.

Pas më shumë se një ore në ambientet e SPAK, Shkëlzen Berisha u shpreh përpara gazetarëve se përsëriti përpara prokurorëve të njëjtat gjëra që ka thënë publikisht, që sipas tij nuk do të japin ndonjë ndihmë për hetimin.

Djali i ish-kryeministrit mohoi të ketë pasur lidhje me këtë ngjarje apo me vendimmarrje për fabrikën në Gërdec, ndërkohë që për emrin e tij të shfaqur në një memo të Ministrisë së Drejtësisë së asaj kohe, u shpreh se duhet hetuar se kush e ka realizuar atë, duke thënë se mund të jetë dhe e falsifikuar.

Më tej, Shkëlzen Berisha e mbylli fjalën e tij përpara gazetarëve me shprehjen se nuk ndjehet aspak i rrezikuar nga SPAK për këtë çështje, duke shprehur në të njëjtën kohë habinë se përse thirret për këtë ngjarje 15 vite më pas.

“Nuk mendoj se dijenia ime ka dhënë ndihmë për hetimin. Kam përsëritur ato që kam thënë publikisht. Më bën përshtypje që e njëjta prokurori, 15 vjet më parë nuk e ka parë të arsyeshme thirrjen time. Sot e njëjta prokurori, të njëjtët prokurorë mendojnë se kam dijeni. Mendoj që prokuroria duhet të thotë kush e ka bërë atë shënim. Në origjinalin e faksit nuk ka asgjë të tillë. Nëse unë kam hyrë në ministri nuk do të thotë që marr vendime. Kam folur me ministrin, por për asgjë përveçse familjare. Të komunikosh me dikë nuk do të thotë që kam lidhje dhe marr vendime. Kjo çështje është e politizuar. Nuk ndjehem i rrezikuar nga SPAK”, tha mes të tjerash djali i ish-kryeministrit Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos