
Parlamenti Europian i bën thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të luftojnë krimin e organizuar, pasi po pengon zhvillimin e tyre dhe përparimin në proceset integruese. Në një raport të aprovuar së fundmi me 531 vota pro, 48 kundër dhe 117 abstenim, thuhet se shtetet e Ballkanit Perëndimor janë vende origjine, destinacioni dhe tranziti për trafikimin të qenieve njerëzore, armëve dhe shërbejnë si destinacion për pastrimin e parave.
“Faktorët kryesorë që i bëjnë shoqëritë e Ballkanit Perëndimor të cenueshme, janë mungesa e mundësive të punësimit, korrupsioni, dezinformimi, elementet e kapjes së shtetit, pabarazia dhe ndërhyrjet e huaja nga regjimet jo demokratike si Rusia dhe Kina”, thuhet në raportin e PE.
Eurodeputetët i kërkojnë BE-së që të mbështesë përpjekjet për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor, përmes ndihmës financiare dhe bashkëpunimit praktik. Gjithashtu, kërkuan që të hapen arkivat e ish-Jugosllavisë.
“Lidhjet ndërmjet krimit të organizuar, politikës e biznesit ekzistonin edhe para shpërbërjes së Jugosllavisë dhe kanë vazhduar që prej përfundimit të konflikteve në vitet '90. Deputetët e Parlamentit Europian dënuan mungesën e qartë të vullnetit të autoriteteve përgjegjëse në rajon që të hapin arkivat e ish-Jugosllavisë dhe dosjet t’u kthehen qeverive nëse ato i duan”, thekson raporti.
Eurodeputetët nënvizuan dhe rëndësinë që vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkëpunojnë dhe të ndajnë informacione të inteligjencës me shtetet e BE-së dhe partnerët ndërkombëtar. Gjithashtu, kërkuan që Këshilli të aprovojë liberalizimin e vizave për Kosovën pas asnjë vonesë. (A2 Televizion)