
Goga Basket ka shënuar fitore ndaj Tiranës 76:67 (25:12, 23:15, 10:26, 18:14), në çerekfinale të Final 8 të Ligës Unike.
Pesë minutat e para ishin të barabarta, por më pas Goga Basket shkëputet dhe fiton periodën e parë 25:12. Skuadra nga Durrësi vazhdoi me dominim në periodën e dytë, duke thelluar edhe më shumë epërsinë, ku shkoi në pushim me shifrat 48:27.
Por, Tirana nuk u dorëzua dhe u rikthye fuqishëm në periodën e tretë, duke afruar rezultatin në 56:51, ndërsa rezultati pas 30 minutash ishte 58:53.
Bardhebultë afruan rezultatin në 60:56, por më pas durrsakët sërish shkëputen, duke triumfuar në fund 76:67.
Te Goga Basket u dalluan Endrit Hysenagolli me 15 pikë e 8 topa në tabelë, kurse te Tirana, Erin Hasani, me 12 pikë e 10 topa në tabelë.
Goga Basket, në gjysmëfinale, pret fituesin e ndeshjes Sigal Prishtina-Golden Eagle Ylli. (A2 Televizion)