
Ashtu siç e kishin lajmëruar, deputetët socialistë në Komisionin e Ligjeve miratuan paketën e ligjeve për reformën zgjedhore jo 100%, sipas fjalës së dhënë në Këshillin Politik.
Ndryshimi u bë në ligjin “Për organizimin e dhe funksionimin e prokurorisë”. Në këtë nismë, shumica vendosi që të heq vetëm një fjalë nga neni që kishte shkaktuar shumë debat. Në variantin e parë të dakordësuar me opozitën joparlamentare, ishte lënë që drejtuesi i prokurorisë “drejton dhe përgjigjet për hetimin e veprave penale që prekin zgjedhjet e lira”. Këtij neni iu hoq fjala “drejton” nën argumentin se cenohet mënyra e funksionimit të reformës në drejtësi sipas së cilës, prokurori është i pavarur gjatë hetimit të çështjeve penale.
“Të votojmë nenin 1 në variantin përfundimtar ashtu siç është dakordësuar si me propozuesin ashtu edhe me të gjithë aktorët e tjerë me të cilët kanë marrë pjesë në dakordësimin”, u shpreh Adnor Shameti.
Pjesa tjetër e ligjeve u miratuan sipas varianteve të dakordësuara më parë në Këshillin Politik. Fenomeni i shitblerjes së votës tashmë do të hetohet nga SPAK-ku.
“Në një vepër penale korrupsioni ka gjithmonë dy palë, një që jep dhe një që merr dhe do të ishte shumë e udhës që këto t’i kishim në kompetencën lëndore të SPAK”, u shpreh Manja.
Pjesë e paketës ishte edhe ndryshimi në Kodin Penal ku parashikohet se personat që shesin votën dhe bashkëpunojnë me organet e drejtësisë, përfitojnë ulje dënimi deri në falje totale. (A2 Televizion)