Gjykata lë në fuqi masën e sigurisë për Armand Dukën, avokati: Ligji ndalon ndikimin e politikës në sport

Nga A2 CNN
4 Mars 2022, 10:38 | Futboll
Gjykata lë në fuqi masën e sigurisë për Armand

Gjykata e Tiranës vendosi vazhdimin e masës së sigurimit për Ardian Haçin, Ilir Shulkun dhe Armand Dukën. Në seancën gjyqësore të verifikimit të masës së sigurimit "pezullim nga detyra", presidenti i Federatës së Futbollit, Sekretari i Përgjithshëm dhe Sekretari i Shoqatës Rajonale Tiranë, nuk u paraqitën dhe u përfaqësuan nga avokati i tyre, Julian Mërtiri.

Avokati i ka kërkuar gjykatës të shfuqizojë masën e vendosur në dhomë këshillimi. Sipas tij, ligji për sportin ndalon ndikimin e politikës në sport.

“Nuk ka asnjë paligjshmëri. I kërkojmë gjykatës të revokojë (shfuqizojë) masën e vendosur në dhomë këshillimi. Prokuroria ka anashkaluar faktin që këta persona nuk janë të pandehur, por vetëm persona nën hetim. Të përfaqësuarit prej meje nuk ushtrojnë funksione publike. Haçi është sekretar i përgjithshëm i Shoqatës, që nuk është institucion shtetëror. Po ashtu, FSHF nuk është institucion shtetëror. I njëjtë është argumenti edhe për Shulkun. Ligji për sportin ndalon ndikimin e politikës në sport. Institucionet publike duhet të shesin aksionet e tyre, në respekt të ligjit për sportin. Kallëzuesi, Veliaj, në rolin e aksionerit, është politikan, duke krijuar kështu kundërshti ligjore. Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë nuk ushtron ndonjë funksion publik”.

Nga ana e saj, Prokuroria kërkoi vijimin e masës së sigurimit "ndalim i përkohshëm i ushtrimit të detyrës".

“Është nisur hetim lidhur me një sërë parregullsish të dyshuara si të konsumuara në mbledhjen e datës 24 janar. Pas administrimit të vendimit për "pezullim nga detyra" prokuroria e ka zbatuar masën përmes policisë gjyqësore duke i njoftuar shtetasit. Vendimi iu është bërë me dije personave. Ne si prokurori kërkojmë vijimin e masës së sigurimit "ndalim i përkohshëm i ushtrimit të detyrës".

Por avokati Julian Mërtiri, deklaroi se provat tregojnë se nuk ekzistojnë veprat penale, për të cilat ka ngritur dyshime prokuroria.

“Prokuroria pretendon se ka dyshime se Duka, Haçi, Shulku dhe Kokëdhima kanë konsumuar vepra të "shpërdorimit të detyrës" dhe "falsifikimit të dokumenteve". Sqarojmë gjykatën se Shoqata Rajonale Tirana funksion si OJF. Provat provojnë tej çdo dyshimi se nuk ekzistojnë veprat penale për të cilat ka ngritur dyshime prokuroria. Gjithë mbledhja është regjistruar me pamje filmike, të cilat i janë vënë në dispozicion prokurorisë. Procesi ka qenë tejet transparent dhe sipas kërkesave ligjore. Presidenti i FSHF nuk ka asnjë ndikim te Shoqata. Duka nuk ka asnjë kompetencë te Shoqata. Gjithë procesi organizativ i Shoqatës është regjistruar nga vetë organizatorët”, tha Mërtiri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos