
Gjykata e Tiranës nis seancën gjyqësore të verifikimit të masës së sigurimit "pezullim nga detyra" të presidentit të Federatës së Futbollit, Armand Duka, sekretarit të përgjithshëm, Ilir Shulku dhe sekretarit të Shoqatës Rajonale Tiranë, Ardian Haçi.
Të tre nuk janë paraqitur dhe kanë deklaruar se do të përfaqësohen me avokat.
Prokuroria kërkon vijimin e masës së sigurimit "ndalim i përkohshëm i ushtrimt të detyrës".
"Është nisur hetim lidhur me një sërë parregullsish të dyshuara si të konsumuara në mbledhjen e datës 24 janar. Pas adminstrimit të vendimit për "pezullim nga detyra" prokuroria e ka zbatuar masën përmes policisë gjyqësore, duke i njoftuar shtetasit. Vendimi iu është bërë me dije personave. Ne si prokurori kërkojmë vijimin e masës së sigurimit "ndalim i përkohshëm i ushtrimt të detyrës".
Nga ana e tij, avokati Julian Mërtiri, përfaqësues ligjor i Dukës, Haçit dhe Shulkut, deklaroi se provat tregojnë se nuk ekzistojnë veprat penale për të cilat ka ngritur dyshime prokuroria.
“Prokuroria pretendon se ka dyshime se Duka, Haçi, Shulku dhe Kokëdhima kanë konsumuar vepra të "shpërdorimit të detyrës" dhe "falsifikimit të dokumenteve". Sqarojmë gjykatën se Shoqata Rajonale Tirana, funksion si OJF.
Provat provojnë tej çdo dyshimi se nuk ekzistojnë veprat penale për të cilat ka ngritur dyshime prokuroria. Gjithë mbledhja është regjistruar me pamje filmike, të cilat i janë vënë në dispozicion prokurorisë. Procesi ka qenë tejet transparent dhe sipas kërkesave ligjore.
Presidenti i FSHF-së nuk ka asnjë ndikim te Shoqata. Duka nuk ka asnjë kompetencë te Shoqata. Gjithë procesi organizativ i Shoqatës, është regjistruar nga vetë organizatorët”, tha Mërtiri.
Asambleja e FSHF-së u pezullua nga Gjykata për shkak të hetimeve të nisura për manipulime me zgjedhjet, duke vendosur shtyrjen e tyre deri në hetimin e plotë të çështjes. (A2 Televizion)