
Lionel Messi ka marrë një ofertë për t’ju bashkuar klubit saudit Al-Hilal për sezonin e ardhshëm, tha një burim shumë pranë kapitenit të Argjentinës.
Oferta nga sauditët, është e vetmja që Messi ka marrë deri tani, shtoi burimi. Mediat argjentinase raportuan se oferta arrin deri në 400 milionë dollarë në vit.
Al Hilal ende nuk e ka komentuar këtë lajm, që po qarkullon në mediat botërore.
35-vjeçari është komentuar gjerësisht kohët e fundit edhe për një rikthim të mundshëm në ish-klubin e tij, Barcelona apo edhe për t’u zhvendosur në Shtetet e Bashkuara për të luajtur me Inter Miami.
Messi u pezullua nga klubi ku luan aktualisht, PSG në nisje të kësaj jave, pas një udhëtimi të paautorizuar drejt Arabisë Saudite, raportoi e përditshmja sportive franceze L’Equipe.
“Pleshti” është ambasador për turizmin në Arabinë Saudite dhe rivali i tij i përjetshëm Cristiano Ronaldo, firmosi me klubin tjetër saudit Al Nassr dhjetorin e shkuar, një marrëveshje që raportohet se vlen 220 mln $ në vit. (A2 Televizion)