Pas më shumë se 2 vitesh nga arrestimi, nisi sot në Hagë procesi gjyqësor kundër ish-presidentit Hashim Thaci, dhe tre ish-zyrtarëve të tjerë, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Të dielën në Prishtinë u zhvillua një marshim solidarizues nga qytetarët, ndërsa sot protesta u zhvendos në Hagë, atje ku po mbahet gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Qindra qytetarë nga Kosova dhe diaspora janë mbledhur në sheshin para Gjykatës Speciale në Hagë, në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Sheshi ndodhet rreth 3 kilometra larg Gjykatës Speciale të Kosovës, ku më 3 prill ka nisur gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë dhënë sërish deklaratat e tyre para Gjykatës Speciale.
Hashim Thaçi deklaroi se është krejt i pafajshëm.
“E kuptoj, jam plotësisht i pafajshëm”, tha ish-presidenti i Kosovës.
Kadri Veseli shprehu pakënaqësinë e tij lidhur me vonesën në nisjen e gjykimit.
“E kuptoj aktakuzën. Po gjithsesi e shpreh pakënaqësinë time për një vonesë të tillë, megjithatë ju falënderoj. Tërësisht i pafajshëm”, tha Veseli.
Njëjtë u deklarua edhe Rexhep Selimi.
“Po, e kuptoj. Jam i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, tha Selimi.
Jakup Krasniqi deklaroi se nuk ka asnjë lidhje me akuzat.
“E kam të vështirë ta kuptoj akuzën. Nuk kam asnjë lidhje me pikat që i lexoi prokurorja para pak kohësh. Nuk mbaj asnjë përgjegjësi për të cilat flitet në aktakuzë”, tha ai.
Ndërkohë, prokurori i specializuar, Alex Whiting tha se rasti ndaj ish-katër krerëve të UÇK-së ka të bëjë me ta e jo me gjithë UÇK-në.
“Kjo çështje gjyqësore nuk kërkon të procedojë UÇK-në dhe nuk akuzon të gjithë anëtarët e saj. Akuzat ngrihen kundër katër vetave. Shumica e anëtarëve të UÇK-së nuk kishin të bënin fare me krimet për të cilat është ngritur aktakuza”, tha Alex Whiting. Ai tha se një prej çështjeve më të ndjeshme të këtij rasti ka të bëjë me frikësimin e dëshmitarëve. Sipas tij, disa prej dëshmitarëve që do të paraqiten në seancë gjatë procesit gjyqësor do të kenë “frikë” të tregojnë për ato që kanë përjetuar. (A2 Televizion)









