
Pas lirimit të 3 policëve të Kosovës, kryeministri Edi Rama e ka konsideruar si një lajm të vonuar, por gjithsesi një lajm të mirë. Me anë të një statusi të bërë në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shqiptare tha se ky vendim është një hap drejt shtensionimit të situatës në veri të vendit dhe uljes në tryezën e dialogut.
“Kthimi i policëve të Kosovës në shtëpi është një lajm i vonuar, po gjithsesi shumë i mirë, sepse e para, i jep fund heqjes arbitrare të lirisë së tre njerëzve që s’kanë kryer asnjë krim dhe e dyta, rihap rrugën e de-eskalimit e të dialogut. Më vjen mirë që forca e arsyes fitoi mbi arsyen e forcës. Uroj që me forcën e arsyes të nisë menjëherë de-eskalimi i shumëpritur nga të gjithë dhe të zgjidhim më tej edhe nyjet e procesit të normalizimit përfundimtar mes Kosovës e Serbisë”, shkruan Rama ndër të tjera.
Rifat Zeka, Beqir Sefi e Mustafë Shemi, u rrëmbyen më 14 qershor nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës, ndërsa sot Gjykata në Kralevë mori vendim për lirimin e tyre. (A2 Televizion)