“Tregova që jam lider”, Basha: Berishën duhet ta kisha përjashtuar më herët

Nga A2 CNN
1 Qershor 2023, 16:42 | Politikë
“Tregova që jam lider”, Basha: Berishën duhet ta kisha

“Nuk jam penduar”. Përjashtimin e Sali Berishës nga Partia Demokratike, Lulzim Basha, ia njeh vetes si provë të lidershipi, ndonëse akti i fortë solli pasoja për partinë. “Nuk pranova të jem lider i rremë”, tha ai në një takim me të rinjtë në Vlorë, ku u tregoi projektin për rikthimin e tij në politikën aktive.

Basha pohoi se nuk është penduar për vendimin e 9 shtatorit të vitit 2021 dhe i bën thirrje Berishës që të ndjekë shembullin e lidershipit të tij dhe të bëj një hap pas për t’i hapur rrugë bashkimit të demokratëve.

“Sa më shumë kohë që kalon aq më i bindur jam se vendimi i 9 shtatorit ishte vendim i drejtë dhe mund të them që nëse ka diçka që mund të korrigjoja, është se ky vendim mund të ishte marrë edhe më herët për t’i çliruar demokratët nga pesha e rëndë e të kaluarës. Nuk është kurrë vonë për të hedhur hapin e duhur, ndaj dhe sot të hedhësh hapin e duhur është të reflektosh dhe rastin e tij të reflektojë dhe të tërhiqet, kurrë nuk është vonë”.

Heshtja njëvjeçare pohon se i ka shërbyer për reflektim dhe për të parë më mirë problemet e politikës, por dhe të mendojë për zgjidhjet. Sipas tij numri i ulët i votuesve në 14 Maj tregoi se besimi tek politika është ulur shumë dhe kjo e bëri që të rikthehej në skenë.

“Në 14 maj kemi arritur në pikën më të fundit, por çfarë duhet të bëjmë të ringjizim te politika, jo si një mjet për t’i shërbyer një grushti njerëzish, por si një mjet për t’i shërbyer qytetarëve që nuk besojnë më që ky sistem politik me rregulla të pabarabarta, të padrejta u shërbejnë atyre”, tha Basha.

Listat e hapura, vetingu i politikanëve dhe kufizimi i mandateve janë zgjidhja për krizën politike sipas ish-kryetarit të PD. Për t’i bërë realitet Basha i lë vetes afat zgjedhjet e vitit 2025 dhe shton se gjithçka do të bëhet në koordinim me faktorin ndërkombëtar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos