Lirohet mjeku Edvin Prifti, gjyqtarja e Krujës mbetet në burg

Nga A2 CNN
2 Mars 2021, 16:05 | Kronikë
Lirohet mjeku Edvin Prifti, gjyqtarja e Krujës mbetet në burg

Gjykata e Posaçme e Apelit liroi nga qelitë e paraburgimit kardiokirurgun Edvin Prifti. Mjeku i QSUT ishte lënë në burg prej gati tre javësh pas dyshimeve për “korrupsion” dhe “pastrim parash”.

Ai u prangos për llogari të njëjtit hetim që çoi në burg edhe gjyqtaren e Krujës, Enkeleida Hoxha, avokatin Aldo Tabaku, kryesekretaren e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallkuçi dhe shtatë persona të tjerë.

Gjashtë shqyrtimit të ankimeve të tyre kundër masës “arrest në burg” të Shkallës së Parë, prokurorët e SPAK shtuan dyshimet për mjekun Prifti.

Sipas SPAK, zbërthimi i telefonit të mjekut kishte zbuluar disa biseda kompromentuese dhe ngritur dyshime për një tjetër episod ku ai mund të ketë marrë para për një operacion. Me dyshim nga prokurorët është parë edhe fakti se mjeku kishte një numër nipt si konsulent mjekësor mes të cilit kishte prerë fatura të shumta. Por pasi ka dëgjuar argumentet e mjekut, gjyqtarët e Apelit vendosën shfuqizimin e masës “arrest në burg” ndaj tij dhe urdhëruan lirim të menjëhershëm të tij, ndërsa lanë në fuqi masën e “pezullimit nga detyra”.

Të njëjtin fat nuk e pati gjyqtarja e Krujës, Enkeleida Hoxha, avokati Aldo Tabaku, kryesekretarja Manuela Mallkuçi dhe shtatë të tjerët, të dyshuar për “korrupsion”. Apeli la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tyre.

Sipas SPAK, të dyshuarit kishin ndërtuar një skemë të mirëfilltë kriminale, sipas së cilës të dënuarit e burgut të Fushë-Krujës përfitonin ulje dënimi duke dhënë ryshfete nga 6 në 12 mijë euro. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/02/18/pasuria-eshte-e-ligjshme-kardiologu-edvin-prifti-apelon-vendimin-e-arrestit-me-burg/
https://a2news.com/2021/02/16/arrestimi-i-gjyqtares-se-krujes-besnik-muci-ceshtja-u-mediatizua-per-gjyqtaren-kishte-hetim-disiplinor/

A2 CNN Livestream

Latest Videos