
Hetimi i Prokurorisë së Tiranës ndaj sulmeve kibernetike të Iranit ndaj Shqipërisë në korrik dhe shtator të këtij viti është zgjeruar në Angli, Rusi dhe Kinë. Kjo për shkak se nga hetimit i deritanishëm i Prokurorisë së Tiranës, rezulton se llogaritë në rrjetin “Telegram” ku hakerat publikojnë të dhënat e vjedhura nga sistemet shqiptare e kanë adresën lokalizuese, IP, në këto tre shtete.
Të dhënat e hetimit u bënë të ditura nga Prokuroria e Përgjithshme, sipas së cilës, llogaritë “Homeland Justice” dhe “JusticeHomeland1”, po publikojnë materiale të Policisë së Shtetit, të cilat përbëjnë sekret hetimor. Për këtë shkak, prokuroria i ka kërkuar Gjykatës së Tiranës të mbyllë llogaritë “HomelandJustice” në Telegram në Britaninë e Madhe, Republikën Popullore të Kinës dhe Federatën Ruse, të sekuestrojë të dhënat e publikuara dhe t’ia dërgojë ato përmes letërporosive drejtësisë shiptare.
Kërkesa u pranua nga gjykata e Tiranës dhe në zbatim të vendimit, prokuroria e Tiranës nisi letër-porositë drejt Anglisë, Kinës dhe Rusisë. Përveç angazhimit të palës shqiptare, ky lloj veprimi hetimor kërkon angazhim edhe nga palët e tjera dhe në varësi të gatishmërisë së tyre, prokuroria shqiptare do të ketë ose jo rezultatin e pritur për bllokimin e faqeve apo marrjen e materialeve në rrugë zyrtare.
Sulmi i korrikut ndaj portalit qeveritar e-Albania dhe ai i shtatorit ndaj sistemit TIMS, po hetohen në një dosje të vetme nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa hakerat vijojnë të publikojë të dhëna. Së fundmi ata kanë pretenduar se zotërojnë edhe sistemin “Deep See” të Policisë së Shtetit dhe se e shesin online për 0,5 Bitcoin, ndërsa nuk kanë publikuar të dhëna prej tij. (A2 Televizion)