









Një pjesë e madhe e Londrës u mbulua të dielën mbrëma nga reshjet e borës. Banorët e Londrës lindore panë të hënën në mëngjes sesi Parku Viktoria ishte zbardhur i gjithi.
Temperaturat e ulëta, siç raporton Reuters, nuk i ndaluan qytetarët që shfrytëzojnë sa të munden kushtet dimërore. Një banor madje rrëmbeu skitë dhe nisi të lëvizte me to nëpër qytet.
Reshjet e dendura të dëborës kanë shkaktuar një sërë problemesh në qarkullim në Londër. Probleme pati në aeroporte, hekurudhë dhe rrugë.
Kurse qarkullimi në nëntokë ose u pezullua ose pati shtyrje oraresh.
Ndërkohë Met Office ka lëshuar një paralajmërim të verdhë moti që nënkupton borë dhe akull në Londër dhe Anglinë juglindore, me paralajmërime për akull dhe mjegull në pjesë të tjera të Anglisë dhe në të gjithë Irlandën e Veriut.
Ndërkohë, Rrjeti Kombëtar i Britanisë lëshoi të hënën një njoftim për të ngrohur dy termocentrale me thëngjill në raste të ndonjë krize energjie gjatë dimrit. (A2 Televizion)