
Lëvizja Socialiste për Integrim e Qarkut të Vlorës ka denoncuar në KQZ, tre zyrtarë të lartë të administratës publike të cilët kanë shkelur ligjin duke marrë pjesë në takimet elektorale të kandidatëve të Partisë Socialiste.
Bëhet fjalë për Anjeza Shikon, drejtoresha e Tatim Taksave në Bashkinë e Vlorës, Francesko Mucajn, drejtor i Shërbimit të Provës në Vlorë dhe Klajdi Myzaferin në pozicionin e Drejtorit të Formimit Profesional në Zyrën e Punës.
Në denoncimin e LSI-së thuhet se këta zyrtarë kanë shkelur ligjin dhe vendimin numër 9 të KQZ marrë me datë 24.12.2020.
Sipas denoncimit, me datë 6 prill, kandidati për deputet i Partisë Socialiste ka postuar në faqjen e tij zyrtare Facebook një veprimtari publike ku ka qenë pjesë dhe Anjeza Shiko, drejtoresha e Tatim Taksave në Bashkinë Vlorë.
LSI thekson po ashtu se më 5 prill ish-drejtoresha e Drejtorisë Tatimore Vlorë dhe kandidate për deputete e Partisë Socialiste Pranvera Resulaj ka postuar në faqen e saj zyrtare Facebook një veprimtari publike ku kishte marrë pjesë dhe Francesko Mucaj, drejtor i Shërbimit të Provës Vlorë, njëkohësisht ka dhe statusin e nënpunësit civil.
Ndërsa, më 7 prill në faqen Facebook PS Vlorë-Rajoni 5, është postuar një veprimtari me karakter publik ku pjesëmarrës është Drejtori i Formimit Profesional në Zyrën e Punës Vlorë Klajdi Myzaferi. (A2 Televizion)