Lufta e Putinit dhe populizmi i gjelbër nxitën krizën energjetike

Nga A2 CNN
26 Maj 2022, 14:39 | Aktualitet

Përshkallëzimi i krizës energjetike dhe ngadalësimi ekonomik që ka prekur të gjithë Europën, duke i shpërndarë valët goditëse deri në Shqipëri, është një fatkeqësi që kultivohet prej dekadash, dhe së cilës Shefi i Kremlinit i vuri detonatorin në momentin e duhur. Ngathtësia europiane në përshtatjen e energjive të përtëritshme nga njëra anë, dhe ambientalizmi elektoral në tjetrën, rritën varësinë toksike të Europës nga karburantet fosile ruse. Vladimir Putin është fajtor për këtë krizë, por disa prej përgjegjësve mund të gjenden në zemrën e demokracisë së BE-së.

Lufta në Ukrainë u shoqërua me rënie të fortë të furnizimit me gaz dhe karburante të tjera fosile në Europë, duke shkaktuar çmime të larta historike të energjisë. Këto të fundit kanë goditur qytetarët dhe industritë në të gjithë kontinentin europian, duke prekur edhe Shqipërinë.

Arsyeja është e thjeshtë. Rreth një e katërta e energjisë së prodhuar në Europë gjenerohet nga gazi, dhe mbi 40% e gazit që BE-ja konsumon vjen nga Rusia. Këtu mund të shtohet edhe destabilizimi i tregjeve për një sërë karburantesh të tjera fosile, si nafta (jo vetëm ruse) dhe qymyri.

Impiant i shpërndarjes së gazit natyror në Ukrainë, i goditur nga një sulm rus

Me çmimet që vetëm rriten dhe luftës që nuk i shihet fundi, vende të tjera historikisht importuese të energjisë, siç është edhe rasti i Shqipërisë, por përballen me një situatë të paprecedente.

Ndërsa analistët e tregjeve raportojnë orë pas ore mbi ndryshimet e pritshme, vëmendja e publikut është përqendruar te kohëzgjatja dhe përshkallëzimet e krizës mbi ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve.

Pamundësia për të parashikuar ecurinë e luftës në Ukrainë dhe përshkallëzimet e saj të mundshme, është faktori kryesor që pamundëson një analizë, qoftë edhe të përafërt, se cila do të jetë e ardhmja e situatës energjetike në Europë, Ballkan dhe më tej.

Por edhe sikur lufta të përfundonte sot, ajo tashmë ka vënë në punë mekanizma dhe procese të pakthyeshme, të cilat priten të ridimensionojnë rrënjësisht tregun e energjisë, duke sugjeruar për një situatë të paqëndrueshme për vitet që vijnë.

Çfarë e shkaktoi krizën?

Lufta në Ukrainë është përgjigja më intuitive. Por, në rastin më të mirë, kjo do të ishte vetëm pjesërisht e saktë. Lufta e Vladimir Putin vetëm sa përshkallëzoi krizën që ekzistonte, duke e shtyrë atë drejt një spiraleje që nuk i duket fundi. Origjina e saj mund të gjurmohet që nga dalja nga recesioni ekonomik që shkaktoi pandemia. Ringritja globale në vitin 2021 dhe nevojat e shtuara për energji ishin më të mëdha sesa prodhimi i karburanteve fosile.

Jo vetëm Europa, por Kina, Brazili dhe ekonomi të tjera të mëdha në botë përjetuan nevoja të shtuara për konsum, krahas vëllimeve më të ulëta të furnizimit në tregje. Në pak muajt që i paraprinë Luftës në Ukrainë, çmimet e karburanteve fosile në Europë kishin shënuar rritje spektakolare. Ato të gazit u rritën me 700%, ndërsa të qymyrit me 400%. Këto të dyja bashkë përbëjnë rreth 20% të të gjithë energjisë së prodhuar në Europë.

Si për t’i vështirësuar gjërat edhe më shumë, Europa u përball me një dimër veçanërisht të ftohtë, i cili përshkallëzoi edhe më tej nevojën për gaz.

Me nisjen e luftës, situata u bë dramatike. Duhet përmendur se përveç se furnizon 25% të gazit, Rusia siguron rreth 27% të naftës që përdoret në Europë. Embargoja e javëve të fundit mbi naftën ruse, ka ndikuar edhe më tej në luhatjet e ashpra të tregjet europiane.

Rritja e kërkesës për energji në një kohë që burimet janë të kufizuara, ka prodhuar inflacion të lartë. Rritja e çmimeve në Europë nënkupton vështirësi të shtuara për biznesin dhe mirëqenie më të ulët për qytetarët, të cilët me të njëjtën sasi të ardhurash janë në gjendje të blejnë më pak mallra dhe shërbime.

https://a2news.com/2022/03/07/ne-zemer-te-arktikut-per-te-nxjerre-thesarin-qe-financon-luften-e-putin/

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka paralajmëruar për një situatë sfiduese ekonomike për katër vitet që vijnë. Në muajin prill, duke folur për pasojat e pritshme të luftës në ekonominë europiane, FMN-ja parashikoi që inflacioni do të rritej në mbi 5% në ekonomitë e zhvilluara europiane, dhe në 9% për ekonomitë në zhvillim.

Dritë në fund të tunelit (por tuneli është i gjatë)

Në mes të muajit maj, Komisioni Europian shpalosi një plan prej 300 miliardë eurosh për të ulur varësinë nga gazi rus brenda pesë vitesh. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, vuri theksin te sovraniteti energjetik i BE-së. “Sot po i çojmë ambiciet tona në një tjetër nivel, për t’i siguruar që të bëhemi të pavarur nga karburantet fosile ruse sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ajo.

Von der Leyen theksoi se kjo qasje është rifuqizimi i BE-së dhe nënkupton kursim më të lartë të energjisë, përshpejtim të largimit nga karburantet fosile dhe nxitjen e investimeve në energji të përtëritshme në një shkallë të lartë. “Do thoja që ky do të jetë karikimi i shpejtë i Marrëveshjes së Gjelbër Europiane”, tha ajo.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen

Ndonëse plani ambicioz i BE-së pritet të sjellë siguri të shtuar energjetike, togfjalëshi kyç është afati 5-vjeçar i nevojshëm për zhvillimin e kapaciteteve të reja prodhuese. Diçka e tillë nënkupton çmime të larta të energjisë dhe pasiguri të lartë në tregjet ndërkombëtare për të ardhmen e parashikueshme. Diçka e tillë do të krijojë pasoja serioze mbi ekonomitë e zhvilluara dhe do të godasë veçanërisht fort ekonomitë më të brishta. Shqipëria renditet ndër këto të fundit.

Energjitë e përtëritshme kanë njohur një rritje të madhe gjatë dekadave të fundit në Bashkimin Europian. Por, Europa ka qenë relativisht e ngadaltë në zhvillimin e këtyre kapaciteteve, nëse krahasohet me Azinë gjatë viteve të fundit.

Kompleksi "Noor" në Marok është centrali më i madh diellor në planet

Përballë përshtatjes së ngathët të këtyre kapaciteteve, varësia e Kontinentit të Vjetër nga gazi mbetet Thembra e Akilit. Ndaj, përgjigja e Bashkimit Europian për diversifikim të burimeve të energjisë synon në njërën anë, pavarësi politike nga karburantet fosile, veçanërisht nga Rusia, si edhe arritjen e objektivave për uljen e gjenerimit të karbonit, duke synuar në këtë mënyrë arritjen e objektivave mjedisore.

Por nevojat për energji janë aktuale, dhe karburantet fosile mbeten të domosdoshme për të mbështetur furnizimin e qytetarëve dhe industrive europiane. Varësia e sektorit energjetik europian nga Rusia është e jashtëzakonshme.

Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2020, 43% e gazit natyror të konsumuar në Europë erdhi nga Rusia, 21% nga Norvegjia, 8% nga Algjeria dhe 5% nga Katari. Rusia prin edhe për naftën e papërpunuar që hyn në BE, në pothuajse 30% të totalit. Një fotografi e ngjashme paraqitet edhe për karburantet e ngurta fosile (kryesisht qymyr), ku më shumë se gjysma, 54%, u sigurua nga Rusia.

Kërkimi i burimeve alternative paraqitet i vështirë. Aktualisht, vendimmarrësit europianë po synojnë gjetjen e një marrëveshjeje me Katarin e pasur me gaz. Por gazi nga Katari dhe vende të tjera në Lindjen e Mesme vjen në rrugë detare. Për ta mundësuar diçka të tillë, nevojitet që ai të shndërrohet në formë të lëngshme, LNG, një proces me kosto të shtuara. Më pas LNG-ja do të transportohet me anije të specializuara, çka sërish kontribuon në kostot më të larta.

Por ky nuk është problemi kryesor. Ekspertët kanë paralajmëruar që edhe me ndërtimin e kapaciteteve të shtuara në Katar, ndikimi i këtyre prurjeve të gazit në sektorin vigan energjetik europian do të ishte i vogël.

Vetëm Gjermania, importoi mbi 42 miliardë metër kub gaz natyror nga Rusia në vitin 2020. Jens Voeller, një analist gjerman i sektorit energjetik, tha për një intervistë për “Al Jazeera” se këto terminale të reja të gazit të lëngshëm mund të mbulojnë vetëm një të pestën e nevojës aktuale të Gjermanisë.

Punëtorë në sektorin e nxjerrjes së gazit në Katar

Me krizën që shpaloset dita-ditës, askush nuk është në gjendje të sugjerojë një zgjidhje të shpejtë; as ekspertët e energjisë dhe as politikëbërësit në Bruksel.

Treni i vonuar i energjisë së përtëritshme

“Shumë gaz po përdoret në një mënyrë që është budallallëk. Djegia e gazit për të prodhuar energji elektrike është budallallëk. Djegia e gazit për t’u ngrohur, në ditët tona, është budallallëk”, thotë Francesco Starace, Shef Ekzekutiv i gjigantit italian të energjisë, ENEL. Starace, i cili këtë javë po merrte pjesë Samitin e Davosit, theksoi gjatë një interviste për rrjetin amerikan CNBC, se më në fund Europa e kuptoi se çfarë do të thotë varësia nga gazi me një burim të vetëm.

Shefi Ekzekutiv i ENEL-it, Francesco Starace

Alternativa, sipas tij dhe ekspertëve të tjerë, janë burimet e përtëritshme të energjisë. Por dekarbonizimi i prodhimit, kombinuar me rritjen e kërkesës për energji, kanë prodhuar një problem afatgjatë.

Zëvendësimi i karburanteve fosile me burime të gjelbra është më i thjeshtë për t’u thënë se për t’u bërë.

Është e vërtetë që energjia e  përtëritshme ka përjetuar një rritje të fortë gjatë dekadave të fundit. Në vitin 2020, burimet e përtëritshme gjeneruan 38% të energjisë së prodhuar në Bashkimin Europian, duke shënuar normë më të lartë sesa energjia e prodhuar nga karburantet fosile, e cila ra në 37% dhe ku bëjnë pjesë nafta, gazi dhe qymyri.

Por, energjia e prodhuar në Bashkimin Europian nuk është e njëjta me atë që konsumohet brenda Bllokut. Fakti është që BE-ja nuk arrin të mbulojë përmes prodhimit të vet as gjysmën e nevojave për energji. Sipas Komisionit Europian, në vitin 2020, “BE-ja prodhoi rreth 42% të energjisë që konsumoi, ndërsa 58% u importua”. (Këtu nuk flitet vetëm për energji elektrike që shpërndahet në rrjet, por për një larmi produktesh dhe funksionesh të ndryshme, përfshi ato industriale.)

Totali i energjisë së konsumuar në BE, përfshi prodhimin brenda Unionit dhe importin, vjen nga 5 burime kryesore: produkte të naftës 35%, gaz natyror 24%, energji të përtëritshme 17%, energji bërthamore 13% dhe produkte qymyri 12%.

Kjo do të thotë se Blloku Europian përdor energji, e cila në masën 70% vjen nga karburante fosile. Me fjalë të tjera, BE-ja prodhon energji kryesisht të pastër, por konsumon energji kryesisht të pisët.

Era, uji dhe dielli janë burimet kryesore të energjisë së pastër. Por energjitë e përtëritshme mbeten të paqëndrueshme nëse nuk bashkërendohen me burime alternative më të qëndrueshme.

Çfarë ndodh në një natë të qetë, kur bateritë e paneleve diellore po lëshojnë impulset e fundit elektrike në rrjet, ndërsa helikat e turbinave me erë qëndrojnë të palëvizshme? Gjatë vitit që shkoi, në Detin e Veriut nuk fryu erë. Ndaj dhe parqet e mëdha eolike në vendet skandinave dhe gjetiu, rezultuan në humbje neto. Energjia diellore, në anën tjetër, ka nevojë për një koeficient të përshtatëm, i cili nuk është rasti për disa nga vendet më të zhvilluara europiane, njëherësh ndër ekonomitë më të uritura për energji.

Turbinat daneze në Detin e Veriut nuk u rrotulluan gjatë vitit që shkoi

Sipas secilit skenar, një pjesë domethënëse e energjisë që hidhet në rrjet nevojitet të gjenerohet nga burime të tjera, të pavarura nga ciklet e natyrës, të cilat si pasojë e ndryshimeve klimatike janë bërë më të paqëndrueshme dhe më të paparashikueshme.

Përballë krizës së tanishme, tranzicioni i gjelbër europian, i parashikuar të kryhet deri në vitin 2035 është një pikëmbërritje e largët, masive dhe e kushtueshme.

Populizmi i gjelbër dhe frika nga bërthamori

Disa ndër faktorët kryesorë të krizës energjetike europiane mund të gjenden te vendimet e Gjermanisë për të mbyllur centralet e saj bërthamore. Deri para disa vitesh, Gjermania ka qenë eksportues i energjisë elektrike, ndërsa tashmë, ky vend është bërë importues i saj.

Arsyeja është se deri në fund të vitit 2021, Gjermania kishte nxjerrë jashtë funksioni 14 nga 17 centralet e saj bërthamore, duke u zotuar se deri në fund të vitit 2022 do t’i mbyllë edhe impiantet që mbeten.

Aktivistë të Greenpeace projektojnë një mesazh mbi një nga kullat e ftohjes së një centrali bërthamor në Gjermani. Aty shkruhet "Për një Europë pa bërthamor"

Vështirë se mund të identifikohet një kohë më e keqe për ta materializuar këtë vendim. Duke qenë ekonomia më e madhe në Europë, Gjermani përbën edhe konsumatorin më të madh të energjisë në kontinent. Ndaj zakonet e saj në konsumin e energjisë kanë një ndikim të jashtëzakonshëm edhe mbi ato vende që ndodhen në skajet e Unionit, siç është rasti i Shqipërisë.

Si pasojë e ambientalizmit të saj elektoral, në vend të energjisë bërthamore, Gjermania konsumon më shumë qymyr linjit (qymyr i murrmë), i cili është forma më ndotëse e prodhimit të energjisë.

Sipas Institutit për Sistemet e Energjisë Diellore - “Fraunhofer”, energjia elektrike e gjeneruar në Gjermani për vitin 2020, erdhi në masën 27% nga era, 24% nga qymyri, 12% nga centralet bërthamore, 12% nga gazi natyror, 10% nga dielli, 9.2% nga biomasa dhe 3.7% nga impiantet hidrike.

Frika gjermane nga energjia bërthamore, më shumë se në shkencë, mbështetet mbi mite dhe rrethana të tejkaluara dhe ose të pagjasa. Katastrofa e Çernobilit, dhe në veçanti ajo Fukushimës, mbeten arsyet kryesore të alergjisë ndaj atomit. Në rastin e parë, neglizhenca njerëzore, kombinuar me teknologji të prapambetura ishin arsyeja e ngjarjes.

Ndërsa në rastin e Japonisë, ishte rasti i një zone me veprimtari të jashtëzakonshme sizmike, ku një tërmet me magnitudë 9, me epiqendër në Oqeanin Paqësor dhe një cunami i paprecedent, shkatërruan gjithë infrastrukturën e impiantit. Europa kontinentale nuk është një zonë me aktivitet të lartë sizmik, ndërsa pjesa më e madhe e saj as nuk laget nga oqeanet, por nga dete të qeta.

Por, Lufta në Ukrainë dhe katastrofa reale energjetike që ka përfshirë Europën, kanë pak gjasa të ndryshojnë vendimmarrjen gjermane për të rivënë në punë centralet e saj bërthamore. Qeveria gjermane ndodhet mes dy zjarresh: krizës energjetike në njërën anë, dhe populizmit mjedisor, në tjetrën. Ekspertët pajtohen se rivënia në punë e këtyre centraleve do të zgjidhte një pjesë të madhe të problemeve, jo vetëm në Gjermani, por edhe në pjesën tjetër të Europës.

Qeveria e re gjermane

Por kjo ka pak gjasa të ndodhë. Dhe problemi janë liberalët. Qeveria e re gjermane, e cila u betua më 8 dhjetor 2021, mbahet në këmbë nga një koalicion i majtë-liberal mes Social Demokratëve, të Gjelbërve dhe Partisë së Lirë Demokratike. Këta dy të fundit, dhe veçanërisht të Gjelbrit që shënuan një rritje të fortë gjatë zgjedhjeve të fundit, janë pengesa kryesore për rindezjen e centralëve bërthamorë dhe lehtësimin e krizës.

Teknikisht, vendosmëria gjermane për të mbyllur centralet bërthamore mbështetet më shumë mbi populizmin liberal dhe pragmatizmin elektoral, sesa mbi shkencën dhe faktet. Konsensusi shkencor është se energjia bërthamore është forma më e qëndrueshme e prodhimit të energjisë në botë. Ajo është, gjithashtu, e sigurt.

Ndërsa shqetësimi madhor i mjedisorëve liberalë mbetet impakti mjedisor, fakti është se centralet bërthamore nuk prodhojnë CO2, ndërsa ato me qymyr, naftë dhe gaz, renditen ndër ndotësit kryesorë. Gjithashtu, teknologjia ka përparuar duke ofruar zgjidhje të qëndrueshme për mijëra vjet që vijnë edhe për depozitimin dhe ruajtjen e mbetjeve bërthamore nga këto centrale.

Linjiti, i njohur edhe si qymyr i murrmë apo i kafenjtë, përbën burimin energjetik më ndotës dhe me eficiencë më të ulët

Paradoksalisht, duke refuzuar bërthamorin dhe i mbajtur praktikisht të pandryshuara importet e gazit të Kremlinit, një pjesë e liberalëve udhëhequr nga të gjelbrit, po ndikojnë te furnizimi me oksigjen i ekonomisë ruse dhe i Luftës në Ukrainë.

Dritë e gjelbër për bërthamorin?

Në shkurt të këtij viti, Komisioni Europian vendosi ta përcaktojë energjinë bërthamore dhe gazin si burime të qëndrueshme energjetike nga pikëpamja mjedisore. Një masë e rëndësishme në këtë aspekt është e ashtuquajtura “taksonomi”, një sistem klasifikimi i aktiviteteve ekonomike që Komisioni i konsideron të qëndrueshme nga pikëpamja mjedisore. Kjo taksonomi synon të përmbushë qëllimin e kontinentit për t’u bërë neutral ndaj impaktit klimatik brenda vitit 2050.

12 nga 27 anëtarë të Unionit mbështetën energjinë bërthamore, duke renditur këtu Francën, Bullgarinë, Rumaninë, Hungarinë, Poloninë, Republikën Çeke, Kroacinë, Sllovakinë, Slloveninë, Holanda, Finlanda dhe Suedia, në Këshillin e Ministrave të Energjisë.

Franca siguron rreth 70% të energjisë së saj nga bërthamori, si rrjedhojë e një politike afatgjatë të bazuar mbi sigurinë energjetike. Qeveria e mëparshme ishte zotuar në vitin 2014, se do ta ulte në masën 50% energjinë e gjeneruar nga centralet bërthamore. Por, në shkurt të vitit 2022, i njëjti muaj kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, Franca njoftoi se do të ndërtonte 6 centrale të reja bërthamore. Ky vend është ndër eksportuesit më të mëdhenj të energjisë elektrike në botë, si rrjedhojë e kostove tepër të ulëta të gjenerimit, falë teknologjisë bërthamore, dhe fiton rreth 3 miliardë euro në vit nga këto eksporte.

Gjermania kryesoi grupin antibërthamor, e ndjekur nga Austria, Luksemburgu, Danimarka, Portugalia dhe Spanja. Disa prej kundërshtarëve të atomit kanë konflikte interesi më të dukshme se të tjerët. Berlini loboi që gazi natyror të klasifikohej si i qëndrueshëm nga pikëpamja mjedisore, me argumentin se gjeneron më pak CO2 sesa qymyri.

Diga e një hidrocentrali në Austri

Spanja, në anën tjetër, përfaqëson një sektor energjetik ndotës, i cili mbështetet në një masë të madhe në karburante fosile, pavarësisht një sektori bërthamor të kufizuar në konsum të brendshëm. Danimarka shquhet për parqet eolike që mbulojnë gati 60% të nevojave të vendit, por që në vitin 2021 përjetuan kolaps. Austria prodhon shumicën e energjisë që konsumon nga burime hidrike, por është gjithashtu, një pikë qendrore e firmave të shitjes dhe shpërndarjes së energjisë, përfshi disa sosh nga Ballkani Perëndimor.

Një sondazh i realizuar nga transmetuesi publik gjerman ZDF, në fillim të këtij viti, tregoi se në dritën e zhvillimeve të fundit me krizën energjetike dhe situatën në Ukrainë, 56% e gjermanëve ishin dakord për t’i mbajtur më gjatë në punë centralet bërthamore, ndërsa 41% ishin kundër kësaj. Gjithashtu, 55% ishin në favor të embargos mbi gazin dhe naftën ruse, ndërsa 39% u shprehën kundër. Nga ana tjetër, 92% e të anketuarve u shprehën në mbështetje të përshpejtimit të energjive të përtëritshme.

Parlamenti Europian

Por, vendimi i Komisionit Europian është në fakt një propozim. Ai duhet të aprovohet nga 27 vendet anëtare dhe nga parlamenti Europian, para se të marrë fuqi zbatuese. Për shkak të specifikave të propozimit, vetëm një shumicë prej 20 vendesh të BE-së apo një shumicë e thjeshtë e PE-së do të mund ta ndalnin.

Të gjelbrit dhe liberalët kanë shprehur sakaq zemërimin e tyre për lëvizjen e Komisionit, ndërsa Austria dhe Luksemburgu kanë kërcënuar se do ta paditin atë mbi rregullat e reja të taksonomisë.

Shqipëria përballë krizës

Prodhimi energjetik në Shqipëri bazohet pothuajse tërësisht në burime hidrike, dhe vendi mbetet një importues i energjisë elektrike për të përmbushur nevojat e tij. Në vitin 2021, Shqipëria konsumoi 8,414 gigavat/orë, nga të cilat 2,253, apo një e katërta e energjisë së konsumuar, erdhi nga importi.

Ndërkohë që prej më shumë se 6 muajsh, në vend vijon të mbesë në fuqi, “Gjendja e Emergjencës në Furnizim”.

Një nga problemet e sektorit energjetik shqiptar është pikërisht varësia totale nga klima, çka i ka shtyrë ekspertët dhe institucionet ndërkombëtare ta nxitin vendin për të diversifikuar burimet e prodhimit.

Aktualisht, disa projekte të prodhimit të energjisë diellore janë në proces. Praktika e përgjithshme ndërkombëtare sugjeron se projekte të tilla të përmasave industriale kanë nevojë për një kohëzgjatje mesatare nga 12 muaj në 18 muaj, në kushte normale. Investime shtesë nevojiten për akomodimin e këtyre strukturave në rrjet dhe funksionalizimin e energjisë së prodhuar nga to.

Në fillim të muajit prill, ministrja e Energjisë Belinda Balluku njoftoi se Shqipëria ka marrë me qira dy anije prodhuese të energjisë elektrike, të cilat do t’i japin Shqipërisë “pavarësi energjetike" gjatë verës. Anijet parashikohet të ankorohen në Triport të Vlorës, pranë TEC-it.

TEC lundrues

Paralelisht, qeveria ka deklaruar se po punon për ta vënë në punë TEC-in e Vlorës, i cili u ndërtua por që nuk u vendos asnjëherë në punë, për shkak të problemeve teknike dhe ligjore mes kompanisë ndërtuese dhe qeverive shqiptare. Rezistenca e shoqërisë civile vlonjate kundër projekteve ndotëse në bregdet, pati kontributin e vet domethënës.

Një vlerë shtesë e këtij projekti shkon përtej furnizimit me energji, duke qenë se balancon gjenerimin e saj mes veriut dhe jugut, duke ndikuar edhe në pakësimin e humbjeve teknike në rrjet.

Përtej këtyre zgjidhjeve afatmesme, në matricën e madhe të gjërave, Shqipëria mbetet e ndikuar në mënyrë domethënëse nga lufta në Ukrainë, humoret në Kremlin dhe zhvillimet në Bruksel. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos