Lufta kundër emigracionit, Trump prezanton rregullat për deportim të shpejtë

Nga A2 CNN
23 Korrik 2019, 16:25 | Bota
Lufta kundër emigracionit, Trump prezanton rregullat për deportim

Qeveria amerikane prezanton rregulla të reja për deportim të shpejtë, të cilat anashkalojnë gjykatat e emigracionit.

Sipas procedurave të reja, emigrantët të cilët nuk mund të provojnë se kanë jetuar pa shkëputje në Shtetet e Bashkuara për më shumë se dy vite, do të deportohen menjëherë. Deri më tani, deportimet e përshpejtuara mund të aplikoheshin vetëm tek personat e ndaluar në kufi, të cilët kane qenë në ShBA për më pak se dy javë.  

Aktivistë për të drejtat e njeriut thonë se qindra mijëra njerëz mund të preken.

Sindikata Amerikane e të Drejtave Civile njoftoi se do të sfidojë në gjykatë rregullat e reja, të cilat pritet të implementohen menjëherë pas prezantimit ditën e martë. Zhvillimet vijnë në momentin kur politika e qeverisë amerikane kundër emigracionit është vënë në shënjestër të kritikave të ashpra, kryesisht për kushtet e vështira në qendrat e ndalimit në kufirin jugor me Meksikën.

Por, autoritetet këmbëngulin se masat janë të nevojshme. Kevin McAleenan, Sekretar për Sigurinë e Brendshme, tha: “Rregullat e reja janë një kundërpërgjigje e nevojshme ndaj krizës së vazhdueshme të emigracionit. Ato do të ndihmojnë në lehtësimin e barrës dhe mbingarkesës në kufi”.

Analistët thonë se Presidenti amerikan Donald Trump po e kthen grushtin e hekurt ndaj emigracionit në një element kyç të fushatës presidenciale të vitit 2020.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos