Metodologjinë e veprimit të OFL në konfiskimin e aseteve të krimit te organizuar, kryeministri ia sugjeron dhe ndërkombëtarëve.
Si kryesues i OSBE-së, këshillat që ai dha në konferencën për rishikimin e sigurisë për 2020, ishin të ngjashme me deklaratat në parlament kur njoftoi hartimin e paketës anti-KÇK, gjurmimi i parasë dhe konfiskimi i pronave të krimit.
“Terrorizmi dhe krimi i organizuar në rajonin e OSBE rrezikojnë më shumë jetë dhe i kushtojnë ekonomisë më shumë sesa konfliktet. Krijojnë destabilitet dhe cenojnë besimin publik të institucioneve tona. Ndaj presidenca jonë e ka vendosur në krye të prioriteteve. Krimi i organizuar është një fushë, ku Shqipëria do të vendosë më shumë theksin. Krimi nuk merret i veçuar. Por duhet parë i gjithë cikli, që nga parandalimi, hetimi, drejtësia penale dhe rehabilitimi.
Nuk duhet ta harrojmë që krimi i organizuar mbetet kryesisht i motivuar nga fitimi ekonomik. Ndaj duhet të jemi më të koordinuar që të shkojmë pas parasë, të gjejmë dhe konfiskojmë asetet e krimit . Ta shtrijë kërkimin dhe në fushën kibernetike”, tha Edi Rama. (A2 Televizion)