“Teatri nuk duhet të jetë pretekst për të penguar integrimin, reforma zgjedhore do të ketë nevojë të reformohet”

Nga A2 CNN
23 Qershor 2020, 09:54 | Politikë
“Teatri nuk duhet të jetë pretekst për të penguar

Për studiuesin Redi Shehu, Shqipëria ndodhet në një udhëkryq sa i përket procesit të integrimit europian. “Bashkimi Europian këmbëngul mbi kushtet, mbi plotësimin e tyre, ndërsa në krahun tjetër kemi dëshirën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Shqipëria të ecë përpara në fushën e integrimit. Në këtë situatë, Shqipëria ndodhet në udhëkryq mes dy qëndrimeve dhe ky nuk është një pozicion komod për Shqipërinë”, tha Shehu, i ftuar në Ditarin e mëngjesit në A2. “SHBA është promotori kryesor për integrimin e Shqipërisë në BE. Mendoj që Europa duhet të çlirohet nga frikat që vijnë nga historia dhe të vërtetojë se është e gatshme të pranojë edhe anëtarë nga vende kulturalisht të ndryshme”.

Një ditë më parë, eurodeputeti gjerman David McAllister kritikoi vendimin e qeverisë për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, duke e quajtur shkatërrim të trashëgimisë europiane. Por për Shehun, kjo nuk mund të shërbejë si pretekst për të shtyrë edhe më tej nisjen e bisedimeve për integrimin.

“Çështja e teatrit është e ndërlikuar sepse përfshin politikën e brendshme. Besoj që janë pretekste për të rënduar pozitën e Shqipërisë në aspekt me integrimin. Nuk duhet të përdoret në gjeopolitikën ndërkombëtare dhe të Ballkanit. Nuk është diskutuar ndonjëherë nëse është prishur ndonjë teatër në vendet rreth nesh”, tha ai.

“BE duhet të përcaktojë kufijtë e vet, një mënyrë të vetme integrimi, të mos ndryshojë rregullat e lojës në mes të lojës. Kërkohej një marrëveshje dhe ajo u arrit. Nëse kjo etapë u kalua, u arrit një marrëveshje, pse nuk merremi me etapat e tjera të integrimit. Ne duhet ta meritojmë integrimin, por duhet të ketë një dëshirë reale të Be për t’i thënë “jo” forcave euroskeptike që duan tkurrjen e BE”.

Shehu mendon se vota e emigrantëve, kaq shumë e artikuluar para dhe pas marrëveshjes politike të arritur së fundmi, duhet të numërohet, por nuk janë kushtet për ta bërë një gjë të tillë.

“Shqipëria duhet të jetë e vullnetshme, e përgatitur psikologjikisht për të bërë një gjë të tillë. Problemet janë brenda nesh, elektoratit tonë dhe nëse nuk i zgjidhim, atëherë ç’kuptim ka që të transferojmë jashtë nesh dyshimet me zgjedhjet. Nëse këtu ka një klimë totale mosbesimi për votën e brendshme, atëherë si mund të mendohet që të besohet vota e emigrantëve. Sigurisht që duhet vota e tyre, por më mirë të zgjidhim problemet e brendshme e pastaj të reflektojmë jashtë”, tha ai.

Sa i përket Reformës Zgjedhore, për Shehun, ajo u përqendrua në kozmetikën e procesit elektoral. “Problemi më i madh nuk ka qenë riformatimi i KQZ, por inkriminimi i partive, mostransparenca e partive. Ne i dimë përgjimet, dosjet janë në prokurori, por këto probleme nuk u adresuan”, tha ai.

“Kjo ishte reformë për hir të reformës, por jo për hir të së vërtetës. Ne kemi bërë reforma që kanë pasur nevojë të reformohen. Shpresoj që jo, por besoj që edhe kjo reformë do të ketë nevojë të reformohet. Arritja më e madhe e kësaj reforme është pika zero, riktheu PD në parlament. Pra për dy vite arritëm të kemi parlament me opozitë reale. Pra nuk kemi bërë hapa përpara, por kemi rikthyer opozitën në Parlament”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos