Kritika ndaj qeverisë shqiptare nga eurodeputetët gjatë seancës së posaçme në Parlamentin Europian.
Eurodeputeti Michael Gahler ka kërkuar informacion mbi dy dosjet e famshme që kanë të bëjnë me shitblerjen e votës, dosjet "184" dhe "339".
Gahler kërkoi të dije se si do të veprohet me këto dy çështje dhe kur do të ketë një përgjigje për to.
“A mendoni se do të kemi zhbllokim të këtyre dy rasteve kur të prezantoni Kuadrin Negociator? A ja keni bërë të qartë këtë kusht qeverisë, shoqërisë civile dhe publikut shqiptar?", u shpreh eurodeputeti.
Një tjetër reagim ka ardhur nga David McAllister, i cili u ndal dhe te shembja e Teatrit Kombëtar në Tiranë.
“Një pjesë e mirë e jona këtu në Komisionin për Marrëdhëniet me Jashtë, u shqetësua nga metoda e përdorur në prishjen e Teatrit Kombëtar më 17 maj. Kjo u kritikua si shkatërrim i trashëgimisë europiane, duke i dhënë një goditje tjetër dialogut dhe kompromisit mes palëve. Ne ripërsërisim thirrjen tonë që palët politike të punojnë bashkë dhe të lenë pas metodat e bojkotit për të forcuar rrugën e vendit në Bashkimin Europian”, tha McAllister. (A2 Televizion)