
“Sot instagrami im ishte mbushur plot me pyetje”. Me këtë përgjigje, Alla Simacheva nis të shpjegojë se si ajo ndihet pasi vendi i saj prej orës 05:55 minuta të mëngjesit të së enjtes nisi bombardimet ndaj Ukrainës.
“Unë jam ruse, vij nga Moska, kam lindur në Tokio. Gjeografia ime është e miksuar. Mendoj që njerëzimi në shek. 21 ka arritur një lloj zhvillimi dhe nuk është e nevojshme të zgjidhim mosmarrëveshjet në këtë mënyrë”, shprehet Alla Simacheva.
Por për të, kjo luftë që sapo ka nisur nuk është edhe aq e papritur. Teksa përpiqet të shpjegojë se pse kjo që sapo po ndodh është “kronikë e një ngjarje të paralajmëruar”, ajo kujton kohët kur ishte fëmijë dhe të vegjlit që në atë kohë brumoseshin me frymën e konfliktit ndaj Ukrainës.
“Kjo ka qenë një pikë e dobët prej kohësh, por ka mundësi pa fund për të zgjidhur çfarëdo mosmarrëveshje të jetë”, shprehet Alla Simacheva.
Pavarësisht të gjithave, Alla thotë se fryma konfliktual nuk ka fituar me të.
“Kam shumë miq nga Ukraina, nuk është çështje kulture, nuk vlerësojmë njeriun nga vendi nga vjen”, thotë ajo.
Teksa konflikti ushtarak po merr jetë të pafajshme njerëzish të thjeshtë, e reja nga Rusia e mbyll përgjigjen me një apel për vendimmarrësit, për t’i thirrur njerëzores e lënë mënjanë frymën e konfliktit. (A2 Televizion)