
Kryeministrja finlandeze Sanna Marin ka deklaruar se Europa nuk është e fortë mjaftueshëm për ta përballuar situatën e luftës në Ukrainë e vetme. Sipas Marin, Kontinenti i Vjetër varet nga mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Deklaratat, kryeministrja e vendit që pret të anëtarësohet në NATO, i bëri gjatë një vizite në Australi ku edhe u shpreh se mbrojtja e Europës duhet të forcohet më tej.
“Më duhet të jem shumë e sinqertë me ju, Europa nuk është e fortë mjaftueshme në këto momente. Do të ishim në telashe po të mos ishte për SHBA-në.”
SHBA është deri më tani furnizuesi më i madh me pajisje ushtarake për Ukrainën. Që nga fillimi i luftës në shkurt, SHBA ka ndarë një paketë ndihme prej 18.6 miliardë dollarësh për Ukrainën.
Dhuruesi i dytë më i madh është Bashkimi Europian, i ndjekur nga Britania e Madhe, sipas të dhënave të Institutit Kiel për Ekonominë Botërore.
Kryeministrja filandeze shtoi se Europa duhet t’i kthejë sytë nga kapacitetet e sigurisë dhe mbrojtjes në mënyrë që të jetë e përgatitur për çdo lloj situate.
Kur ishte në detyrë, presidenti amerikan Donald Trump e ka kritikuar rregullisht BE-në dhe vendet e NATO-s, për sasinë e pamjaftueshme të parave që shpenzonin në mbrojtje. (A2 Televizion)