FBI e shqetësuar për sigurinë kombëtare në lidhje me TikTok-un

Nga A2 CNN
3 Dhjetor 2022, 13:32 | Bota
FBI e shqetësuar për sigurinë kombëtare në lidhje me

FBI ka ngritur shqetësime për sigurinë kombëtare në lidhje me platformën TikTok. Drejtori i FBI-së, Chris Wray ka paralajmëruar të premten se kontrolli i aplikacionit popullor të ndarjes së videove është në duart e qeverisë kineze që nuk ndan të njëjtat vlera.

Sipas tij FBI-ja ishte e shqetësuar sepse kinezët kishin aftësinë për të kontrolluar algoritmin e rekomandimit të aplikacionit, "i cili u lejon atyre të manipulojnë përmbajtjen, dhe nëse duan, ta përdorin atë për operacione influencimi". Ai gjithashtu pohoi se Kina mund të përdorë aplikacionin për të mbledhur të dhëna për përdoruesit e saj që mund të përdoren për operacione tradicionale të spiunazhit.

"Të gjitha këto janë në duart e një qeverie që nuk i ndan vlerat tona dhe që ka një mision që është shumë në kundërshtim me atë që është në interesin më të mirë të Shteteve të Bashkuara. Kjo duhet të na shqetësojë", i tha zoti Wray një audience në Shkollën e Politikave Publike Gerald R. Ford të Universitetit të Miçiganit, raporton Zëri i Amerikës.

TikTok është në pronësi të kompanisë ByteDance me bazë në Pekin. Në një seancë dëgjimore të Senatit në shtator, Shefja Operative e TikTok-ut, Vanessa Pappas iu përgjigj pyetjeve të anëtarëve të të dyja partive duke thënë se kompania mbron të gjitha të dhënat e përdoruesve amerikanë dhe se zyrtarët e qeverisë kineze nuk kanë qasje në to.

"Ne kurrë nuk do të ndajmë të dhëna," theksoi ajo.

E shqetësuar për ndikimin e Kinës mbi TikTok-un, administrata Trump në vitin 2020 kërcënoi se do ta ndalonte aplikacionin brenda SHBA-së dhe i bëri presion kompanisë ByteDance për t'ia shitur platformën TikTok një kompanie amerikane. Zyrtarët amerikanë dhe kompania janë tani në bisedime për një marrëveshje të mundshme që do të zgjidhte shqetësimet e sigurisë amerikane, një proces që zoti Ëray tha se po ndodhte nëpër agjencitë qeveritare të SHBA. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos