Lufta në Ukrainë, liderët perëndimorë mblidhen sot në tri samite

Nga A2 CNN
24 Mars 2022, 11:28 | Bota
Lufta në Ukrainë, liderët perëndimorë mblidhen sot

Presidenti amerikan Joe Biden u bashkohet sot liderëve perëndimorë në Bruksel, për tri samite mbi luftën në Ukrainë, një muaj pas nisjes së ofensivës ruse.

Krerët e NATO-s, G7-s dhe BE-së mblidhen sot duke treguar një unitet të rrallë të perëndimit. Biden do të marrë pjesë në të tria takimet, duke u bërë i pari president amerikan që i bashkohet një samiti të Bashkimit Europian në Bruksel.

30 liderët e aleancës veriatlantike do të dakordësohen për më shumë mbështetje për Ukrainën dhe dërgimin e trupave shtesë në vendet e Europës Lindore.

Qëllimi është të tregohet solidaritet për Kievin, edhe pse jo të gjithë mbështesin dërgimin e më shumë armëve në Ukrainë.

Britania e Madhe ka thënë se do të shfrytëzojë samitet e NATO-s dhe G7 për të rritur në mënyrë të konsiderueshme ndihmat ushtarake. Në prag të takimeve, kryeministri Boris Johnson tha se shteti i tij do të dërgojë 6000 raketa shtesë dhe ndihmë financiare në vlerë të 33 milionë dollarëve për ushtrinë e Ukrainës.

Megjithatë, aleanca e ka bërë të qartë se nuk do të përfshihet më tej dhe se nuk do të shpallë një zonë të ndalim fluturimit, e kërkuar vazhdimisht nga presidenti Zelensky. Ky i fundit do të lidhet me liderët e NATO-s dhe ata të BE-së përmes videokonferencave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos