
Në Estoninë lindore, pyjet e dendura dhe pllajat e mbushura me industri dhe blloqe apartamentesh betoni, i ngjajnë shumë Rusisë. Pjesa më e madhe e njerëzve janë të etnisë ruse. Shumë tabela janë në rusisht dhe vetë shteti rus është sa kalon lumin e qytetit kufitar të Estonisë, Narva, ku mbi 86 për qind e popullatës flet rusisht.
“Edhe në këtë anë të lumit, rusishtfolësit vendas përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë estoneze. Një nga trashëgimitë e shumta të qëndrueshme të epokës sovjetike. Shumë të moshuar nuk flasin mirë estonishten. Dhe në mungesë të shumë mediave në gjuhën ruse në Estoni, media publike ruse është lënë të mbushë boshllëkun, duke u dhënë njerëzve një dozë të qëndrueshme të propagandës së Kremlinit”, tregon Scott Mclean, korrespondent i CNN.
Kjo ishte deri në nisje të luftës në Ukrainë kur Estonia bllokoi shumë nga kanalet dhe mediat ruse, një vendim që u has me kundërshti.
“Pse unë nuk bie dakord? Sepse mendoj se demokracitë e mëdha nuk duhet të kenë frikë nga çdo lloj propagande. Shumë njerëz po blejnë pajisje për të parë kanalet ruse. Kufizimi nuk është mënyra e duhur”, shprehet Vladimir Zavoronkov, kryetar i këshillit të qyteti Narva.
Antenat janë bërë një produkt shumë i kërkuar në dyqanet e elektronikës nga rusishtfolësit për të parë më lehtë kanalet televizive ruse.
Ilya Federov dhe babai i tij, Oleg, kanë edhe disa pajisje më të mira në shtëpinë e tyre. Ata kanë lidhur këtë televizor me një marrës satelitor rus, një tjetër me antenë, dhe të dyja këto pajisje sjellin gjithçka nga kanalet ruse. Disa preferojnë që mos t’i shohin.
Mund të shoh vetëm 10 ose 15 sekonda maksimumi, pasi niveli i agresionit, paranojës dhe i gënjeshtrave është çmendurisht i lartë”, deklaron banori i Narva.
Ndërsa gazetari i CNN shprehet: “Shumë njerëz këtu janë ende shumë të lidhur me Rusinë. Mendoni se ata besojnë gjithçka që po thotë Kremlini për luftën në Ukrainë?”
Disa po kthehen në kanalin ETV+, që u krijua në 2015-n për t’u dhënë rusishtfolësve estonezë qasje në lajme të besueshme lidhur me vendin e tyre dhe botën.
“Ne nuk kemi propagandë. Ne mund të bëjmë lajme për ministra apo presidentë të korruptuar në vendin tonë, apo për politika. Shumë gazetarë rusë nuk mund ta bëjnë këtë”, shprehet Margarita Tanajeva, folëse lajmesh.
Së fundmi, ETV+, raportoi fundosjen e luftanijes simbol të Rusisë “Moska” duke paraqitur të dyja versionet, të Ukrainës që e goditi me raketa dhe atë të Rusisë që anija u fundos pas një zjarri. Që prej nisjes së transmetimit, shikueshmëria e ETV+ është rritur, por fitimi i besimi është një betejë e vështirë. (A2 Televizion)