Lufta po mbush 1 vit, aleatët: T’i japim Ukrainës të gjitha armët që i nevojiten

Nga A2 CNN
14 Shkurt 2023, 15:33 | Bota
Lufta po mbush 1 vit, aleatët: T’i japim Ukrainës të gjitha

Ukraina duhet të sigurojë të gjitha armët që I nevojiten për ta fituar luftën. Kështu u shpreh sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ndërsa ministrat e Mbrojtjes të shteteve aleate u mblodhën në Bruksel për të diskutuar se si të furnizojnë Ukrainën me më shumë armatime dhe municione, teksa Rusia bëhet gati për një ofensivë të re madhore.

“Javën e ardhshme shënojmë një vjetorin e kësaj lufte të tmerrshme në Ukrainë; dhe nuk shohim asnjë sinjal se presidenti Putin po përgatitet për paqe. Po shohim të kundërtën; ai po përgatitet për më shumë luftë, për një ofensivë dhe sulme të reja”, tha Stoltenberg.

Sipas shefit të NATO-s, përdorimi nga Ukraina i municioneve në luftën kundër Rusisë, po tejkalon ritmin e furnizimeve dhe aleanca duhet të rrisë prodhimin për të plotësuar nevojat e Kievit. Megjithatë ai theksoi se avionët luftarakë nuk janë urgjent dhe se duhej të fokusoheshin te dërgimi I tankeve.

Edhe Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se Ukraina ka nevoja urgjente ushtarake në këtë moment vendimtar të luftës, dhe se aleatët duhet të bëjnë më shumë për ta ndihmuar vendin. “Ukraina ka nevoja urgjente për të përballuar këtë moment vendimtar të luftës. Kremlini po shpreson që ne të lodhemi; por një vit pas luftës jemi më të bashkuar se kurrë. Me unitet dhe urgjencë do t’i ofrojmë sërish Ukrainës mbështetjen që I kemi premtuar”, tha Austin.

Teksa paralajmërohet se ofensiva e re madhore e Rusisë në Ukrainën lindore tashmë ka nisur, pas raportimit për sulme të rënda me artileri në qytetin e Bakhmut, Kievi kërkon dëshpërimisht avion lufte e raketa me rreze të gjatë, përveç tankeve të premtuara nga aleatët. Por sipas “Politico”, administrata e presidentit Biden ka informuar autoritetet ukrainase se nuk mund t’i furnizojnë me raketa me rreze të gjatë. Kremlini sakaq, tha në një reagim të fundit se NATO por po tregonte çdo ditë armiqësinë e tij ndaj Rusisë, dhe se po bëhet gjithmonë e me I përfshirë në konflikt.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos