
Kanë kaluar 71 vjet nga lufta që ndau Korenë në dy pjesë, atë të Veriut dhe të Jugut. Një konflikt që zgjati 3 vjet, (titra nga grafika 1950-1953). Konflikti nisi në vitin 1950, kur trupat komuniste të Veriut nisën një sulm surprizë përgjatë paralelit të 38-të në jug. Gjatë këtij konflikti mbi 3 milionë ushtarë dhe civilë u vranë ndërsa 5 milionë vetë emigruan.
Armëpushimi u firmos më 27 qershor 1953, duke ndalur luftimet. Ai u nënshkrua mes SHBA, Kombeve të Bashkuara që mbështesnin Korenë e Jugut dhe kinezëve komunistë e trupave koreano-veriore. Koreja e Veriut tha se kjo marrëveshje vulosi mposhtjen e parë të Shteteve të Bashkuara dhe se përmes saj Koreja e Veriut mbrojti sovranitetin e shtetit komunist. Por si rrodhën ngjarjet?
Në vitin 1976, ushtarët koreano-veriorë, në zonën e përbashkët të sigurisë, vranë 2 ushtarë amerikanë, të cilët po prinin një pemë, për të siguruar pamje më të pastër. Presidenti aktual koreano-jugor, Moon Jae In, në atë kohë një rekrut në forcat speciale të Koresë së Jugut, ishte pjesë e një misioni të përbashkët me SHBA për të prerë pemën që u bë shkak për nisjen e konfliktit, duke treguar kështu forcën, vetëm 3 ditë pas sulmit. Ky incident ishte hera e parë që nga Lufta Koreane që sistemi i alertit, DEFCON, u rindez, nën hijen e një thuajse gjendje lufte, sipas Moon.
Themeluesi i Koresë së Veriut, Kim Il Sung, e drejtoi vendin e tij nga themelimi në vitin 1948 deri në luftën koreane, në vitet 50-53. Ai qëndroi më pas në krye të shtetit deri në vitin 1994, deri në ditën kur u nda nga jeta dhe pushteti i kaloi të birit, Kim Jong Il.
Në vitin 1998, turistë koreano-jugorë vizituan Korenë e Veriut, për herë të parë në gjysmë shekulli. Mali Kumgang ishte projekti i parë i përbashkët mes dy koreve.
Ish presidenti koreano-jugor Kim Dae-jung fitoi Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2000 për politikën e tij të afrimit dhe angazhimit për rifillimin e dialogut mes 2 koreve rivale. Kim udhëtoi drejt Penianit në qershor të vitit 2000, në të parin mes 2 takimeve që ai do të merrte pjesë me liderin koreano-verior që nga periudha e luftës, duke u angazhuar për marrëdhënie më të ngushta në fushën politike dhe rritje të këmbimit tregtar.
Në vitin 2000, qindra familje te Jugut dhe Veriut përjetuan ribashkime emocionale, pasi shumë familjarë e miq kishin humbur lidhjes mes Seulit dhe Penianit për dekada me radhë. Zona e përbashkët industrial në Kesong, Korenë e veriut, u hap në vitin 2004 si pjesë e së ashtuquajturës “Politikë e afrimit” për angazhim dhe optimizëm mes dy koreve. 124 kompanitë koreano-jugore dhe punonjës lokalë nisën prodhimin e veshjeve, të mirave për shtëpi dhe helmeta motorësh aty.
Koreja e Veriut realizoi testin e parë nuklear më 9 tetor 2006. Media shtetërore raportoi se gjithçka ishte e sigurt dhe Peniani realizoi testin e parë nëntokësor nuklear. Por kjo ngjarje rizgjoi një shqetësim të vjetër, që do të diskutohej gjatë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. KCNA, Agjencia Shtetërore e Lajmeve në Veri, tha se nuk ka asnjë rrezik nga testet e Penianit.
Bisedimet për këtë rrezik bënë bashkë 6 shtetet: Kinë, Japoni, Rusi, dy Koretë dhe Shtetet e Bashkuara. Pas bisedimeve, grupi arriti një marrëveshje në shtator të 2005, ku Veriu premtonte të braktiste programin e saj bërthamor në këmbim të incentivave ekonomike dhe diplomatike, që do të siguroheshin nga fuqitë e mëdha. Për Pekinin, bisedimet dhe marrëveshja ishin një triumf diplomatik.
Më 11 korrik 2008, një turist nga Koreja e jugut, 53-vjeçari Park Vang-ja, u qëllua për vdekje, teksa po kalonte në një zonë ushtarake shumë pranë malit Kumgang, një enklavë që drejtohet nga veriu, shumë pranë kufirit ushtarak. Peniani tha se burri po tentonte të hynte fshehurazi në zonën ushtarake dhe teksa po largohej me vrap, u urdhërua të ndalojë disa herë, më pas u hap zjarr.
Pas Incidentit, Seuli ndaloi vizitat në këtë zonë. Mes viteve 98-2008, mijëra koreano-jugorë e kishin vizituar këtë zonë. Lideri koreano-verior Kim Jong Il nënshkroi caktimin e djalit të vogël, Kim Jong Un, si udhëheqësin e dinastisë familjare në qershor të 2009, pasi ai të vdiste. Kim Jong Un, lindur në vitin 83 ose 84 pasi ende nuk dihet saktësisht, ishte edukuar në Zvicër që prej viteve ’90.
Në vitin 2010, një anije luftarake koreano-jugore, u mbyt shumë pranë kufirit mes dy vendeve, në atë çka një komision ndërkombëtar e cilësoi si kurth i Koresë së Veriut, por që Peniani mohoi çdo lidhje me ngjarjen.
Në vitin 2010, përsëri ushtarët koreano-veriorë vranë 4 persona, në një ishull në jug.
Kim Jong Il, i dyti Kim që udhëhiqte vendin, u nda nga jeta më 17 dhjetor 2011, nga një atak i dyshuar në zemër.
Tashmë Koreja e Veriut kishte një udhëheqës të ri, Kim Jong Un, që u emëruar edhe kryetar i Komisionit Kombëtar të Mbrojtjes, në një mbledhje të asamblesë në 2012. Në të njëjtën mbledhje ai mori edhe titullin “Sekretari i Përgjithshëm i Përjetësisë”.
Një muaj pasi realizoi testin e katërt nuklear në 2016, Kim Jong Un u dënua nga komuniteti ndërkombëtar pasi kish urdhëruar lëshimin e një rakete me rreze të gjatë veprimi, që mbante emrin e babait të tij të ndjerë. Lajmi ishte se në raketë, ishte vendosur edhe një satelit, të paktën Kim kështu e quajti. Këshilli i Sigurimit i OKB-së vendosi menjëherë sanksione ndaj Koresë së Veriut, në përgjigje të testit nuklear. Koreja e Veriut jeton me sanksione të vendosura nga Kombet e Bashkuara që prej vitit 2006, kur realizoi testin e parë nuklear.
Në shkurt të 2016, Koreja e Jugut pezulloi operacionet e saj në fabrikat e Kesong, pas lëshimit të raketës së radhës, duke i ndërprerë veriut çdo furnizim me veshmbathje e ushqime.
Në mars 2016, media shtetërore e Veriut raporti se Kim Jong Un kishte thënë se vendi kishte prodhuar edhe më shumë raketa bërthamore, gati për tu vendosur në raketa balistike dhe kishte urdhëruar përmirësime në fuqinë dhe precizionin e arsenalit të tij. Ky ishte kërcënim i hapur.
Më 3 shtator 2017, Koreja e Veriut tha se ka testuar me sukses një bombë me hidrogjen, të dizajnuar për t’u vendosur mbi raketat balistike ndërkontinentale, duke prodhuar kështu më shumë panik e zemërim, së në të shkuarën, me çdo test nuklear të realizuar. Testi i bombës me hidrogjen i urdhëruar nga Kim Jong Un ishte një sukses perfekt dhe një hap kuptim-plot në përmbushjen e programit të armëve nukleare të vendit, raportoi televizion KRT.
Më 8 shkurt 2018, veriu festoi themelimin e ushtrisë, me një paradë madhështore ushtarake në Penian. Analistët thanë se gjithsesi parada ishte më e vogël se festimet e viteve të shkuara por e justifikonin atë me faktin se tani veriu ishte fokusuar tek kapacitetet nukleare.
Kim Jong Un dhe homologu i jugut, Presidenti Moon Jae In, mbajtën samitin e parë mes dy koreve, në më shumë se një dekadë, më 27 prill 2018, në një zonë të demilitarizuar mes dy vendeve. Të dy liderët u zotuan se do të punojnë për të përfunduar denuklearizimin e gadishullit Korean dhe njoftuan se bashkë do të punojnë me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën për të deklaruar përfundimin zyrtar të luftës mes dy koreve, nisur në vitin 1950. Të dy u zotuan për paqe solide mes Seulit dhe Penianit.
Kim Jong Un dhe Presidenti amerikan Donald Trump mbajtën një samit historik në Singapor më 12 qershor 2018. Dy liderët nënshkruan një marrëveshje dhe u angazhuan se do të punojë për të përfunduar denuklearizimin e gadishullit Korean, teksa Uashingtoni u zotua se do të ofrojë sigurinë e nevojshme për Phenian nga çdo armik i mundshëm.
Në fund të 2018, Koreja e Veriut shkatërroi postën e rojeve në zonën e demilitarizuar, siç ishte dakordësuar me jugun.
Në 2019, Trump dhe Kim u takuan për herë të dytë, në një samit në kryeqytetin vietnamez, Hanoi por takimi dështoi për shkak të kërkesave konfliktuale të Penianin për sanksionet e vendosura ndaj saj dhe nga Uashingtoni sepse kërkonte që veriu ti përmbahej zotimeve të mëparshme.
Kim Jong Un organizoi pas kthimit në shtëpi një stërvitje të ashpër ushtarake, si për ti treguar nga larg forcën por edhe limitin perëndimit. Kim urdhëroi rritjen e fuqisë ushtarake, me armatime të reja ndërsa urdhëroi menjëherë një tjetër test nuklear. Pas këtij samiti të dytë, tensionet u rritën edhe më shumë.
Kim Jong Un dhe Donald Trump u ritakuan në samitin e Panmunjom. Trump ishte i pari president që shkeli me këmbë Korenë e Veriut, kur u takua me Kim në zonën e demilitarizuar mes dy koreve.
Kim Jong Un inspektoi punimet për ndërtimin e një nëndetëseje të re dhe agjencia shtetërore e lajmeve i bëri jehonë këtij sistemi të ri të kapaciteteve dhe armë të reja. Nëndetësja, e cila po ndërtohej nën vëzhgimin dhe vëmendjen e veçantë të vetë Kim, do të ishte operative në detin e Lindjes, njohur edhe si Deti i Japonisë.
Kim Jong Un vëzhgoi nga afër një demonstrim zjarri të armëve të reja taktike më 21 mars 2020. Edhe njëherë Kim donte t’i tërhiqte vëmendjen perëndimit, duke i treguar forcën.
Më 16 qershor 2020, Koreja e Veriut ngriti një zyrë të përbashkët, në qytetin në kufi me jugun, siç ishte dakordësuar në 2018, për t’i forcuar lidhjet me rivalët e përjetshëm, pasi kishte kërcënuar më herët me një aksion ushtarak nëse dezertorët do të vazhdonin fushatën e propagandës kundër veriut. Por zyra ndërlidhëse në Kesong u shkatërrua nga një shpërthim i tmerrshëm, do të raportonte agjencia e lajmeve KCNA.
Shteti i ngujuar njoftoi edhe projektin e ri, të një armë taktike të re, njoftoi media në mars të këtij viti. Arma e re, krijuar sipas teknologjisë më të fundit, ishte përmirësuar ndjeshëm, aq sa mund të mbante mbushje rakete deri në 2.5 ton. Ajo mund të godiste objektivin deri në 600 km larg.
Presidenti amerikan Joe Biden dhe homologu koreano-jugor Moon Jae-in rinisën bisedimet, me qëllim për të angazhuar edhe njëherë veriun në dialog, për armët e saj nukleare në maj të 2021-shit, me Biden që tha se ai është gati të takohet edhe me liderin Kim Jong Un, në kushte të rrepta sigurie.
Biden dhe Moon u dakordësuan dhe denuklearizimi i plotë i gadishullit Korean është qëllimi i tyre i vetëm për këtë samit, me Biden që u shpreh qartë se ai nuk ka asnjë iluzion se sa e vështirë është për liderin verior të heqë dorë nga arsenali i tij nuklear, sidomos pas dështimit të takimit me paraardhësin e tij, Donald Trump.
Vetë Kim Jonh Un tha se Veriu është i përgatitur, edhe për dialog edhe për përballje me Shtetet e Bashkuara, veçanërisht për përballjen, raportoi televizioni KRT më 18 qershor 2021, në komentin e parë direkt për administratën e presidentit amerikan Joe Biden. (A2 Televizion)