
Pas tensioneve ushtarake të krijuara ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, UEFA po shqyrton mundësinë që të ndryshojë qytetin organizator të finales së Champions League, e programuar të zhvillohet më 29 maj në Shën Petersburg.
Lajmi është bërë i ditur nga mediat angleze, sipas të cilave Wembley është një prej alternativave, për ndeshjen ku do të përcaktohet trofeu më i rëndësishëm për klube në Europë.
Në zyrat e UEFA-s janë ngritur dyshime serioze rreth mundësisë që finalja e Champions të zhvillohet në “Gazprom Arena”. Institucioni që drejton futbollin në kontinent, po monitoron me kujdes krizën ukrainase dhe po përgatit një plan emergjence, nëse do të ndodhë më e keqja.
Problemi lidhet me sigurinë, prej rrezikut të luftës, por edhe me çështjet logjistike. Kjo, për faktin se disa kompani ajrore kanë njoftuar pezullimin apo zvogëlimin e fluturimeve drejt Ukrainës dhe Rusisë, për shkak të tensioneve të krijuara.
Edhe gjatë edicionit të kaluar, tre javë përpara se të luhej, finalja e Champions ndryshoi qytetin organizator. Ndeshja e parashikuar të luhej në Stamboll u transferua në Porto, për shkak të emergjencës së krijuar nga pandemia, e cila kishte goditur rëndë qytetin turk. (A2 Televizion)