Luksi i shfrenuar i El Chapos zbulohet në gjyq

Nga A2 CNN
28 Nëntor 2018, 11:09 | Bota

Bosi meksikan i drogës, “El Chapo”, ishte aq i pasur sa që kishte ndërtuar kopështin e vet zoologjik, kishte një shtëpi me vlerë 10 milionë dollarë në Acapulco dhe udhëtonte në Zvicër për t’iu nënshtruar trajtimeve kundër plakjes.

Luksi në të cilën jetonte Joaquin Guzman u tregua nga një dëshmitar gjatë gjyqit që po zhvillohet kundër tij në Shtetet e Bashkuara. Miguel Angel Martinez, një ish-pjesëtar i kartelit, rrëfeu në seancë se El Chapo ka një shtëpi pothuajse në çdo plazh.

Ai gjithashtu përshkroi me detaje se si Karteli i Sinaloas trafikonte tonelata me kokainë në Shtetet e Bashkuara përmes tuneleve të hapura pranë kufirit me Meksikën, por edhe përmes kamionëve, e madje edhe te kanoçet me speca djegës.

Mjetet ktheheshin mbrapsht me dhjetëra miliona dollarë, me pjesën më të madhe që përfundonin në Tijuana, ku Guzman dërgonte tre avionë privatë për t’i tërhequr. Një prej avionëve mbante mesatarisht 10 milionë dollarë. Një pjesë e parave të futura nëpër valixhe, dërgoheshin në bankat meksikane ku punonjësit korruptoheshin për t’i këmbyer me pesos (monedhën vendase) pa bërë pyetje.

Përveç shpenzimeve të luksit, dëshmitari tregoi edhe se si El Chapo përdorte paratë për të mbajtur të lumtura katër apo pesë femra të përfshira në jetën e tij, ndërkohë që udhëtonte për në Zvicër rregullisht për të trajtuar fytyrën me “qeliza rinuese”. Sigurisht kohët e bukura ndërpriteshin herë pas here nga luftërat mes karteleve, ku dëshmitari Martinez kujton se një herë kanë vrarë edhe një prift katolik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos