
Ndjenjat anti-semite janë shumë të pranishme në Europë, ndërsa kujtesa e Holokaustit po fillon të zbehet. Këto janë përfundimet që dalin nga një sondazh i realizuar nga CNN.
Më shumë se çereku i europianëve të pyetur besojnë se hebrenjtë kanë shumë më tepër ndikim se sa duhet në biznes dhe financa. Rreth 1 në 4 vetë gjithashtu besojnë se hebrenjtë kanë shumë më tepër ndikim se sa duhet edhe në konflikte dhe luftëra në të gjithë botën.
1 në 5 vetë thanë se ata kanë shumë më tepër ndikim se sa duhet në media dhe i njëjti numër beson se kanë shumë më tepër ndikim se sa duhet në politikë.
Nga ana tjetër, 1/3-ta e europianëve pjesëmarrës në sondazh thanë se dinin pak ose asgjë për Holokaustin, vrasjen masive të miliona hebrenjve në territore të kontrolluara nga regjimi nazist i Adolf Hitler në vitet ’30 dhe ’40.
Në sondazhin e CNN, organizuar me kompaninë ComRes, janë intervistuar më shumë se 7000 njerëz në të gjithë Europën, me më shumë se 1000 persona nga shtete si Austria, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Hungaria, Polonia dhe Suedia.
Sondazhi është përfunduar para vrasjes së 11 personave në një sinagogë në Pittsburgh, sulmi me më shumë viktima të komunitetit hebraik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Holokausti i harruar?
Rreth 1 në 20 europianë në shtetet ku u realizua sondazhi i CNN nuk kishin dëgjuar kurrë për Holokaustin, edhe pse Lufta e Dytë Botërore ka përfunduar vetëm 75 vjet më parë dhe ende sot kanë mbetur dhjetëra mijëra të mbijetuar.
Mungesa e njohurive për Holokaustin është veçanërisht e theksuar mes të rinjve në Francë: 1 në 5 vetë atje, të grup moshës 18-34 vjeç, thanë se nuk kishin dëgjuar gjë për të.
Në Austri – shteti ku ka lindur Hitleri – 12% e të rinjve thanë se nuk kishin dëgjuar kurrë për Holokaustin. Gjithashtu në Austri ishte edhe numri më i lartë i personave – 1 në 10 – që thanë se dinin shumë pak për të. (A2 Televizion)