Macron humbet zgjedhjet, presidenti premton 15 miliardë euro investime të “gjelbra”

Nga A2 CNN
29 Qershor 2020, 15:47 | Bota
Macron humbet zgjedhjet, presidenti premton 15 miliardë euro investime

“Ekologjia do të jetë në zemër të modelit tonë ekonomik”. Me këtë fjali, presidenti, Emmanuel Macron, provon të përqafojë valën e gjelbër për të harruar humbjen e “La Republique en marche” në zgjedhjet për bashkitë e Francës, të cilat janë fituar ndjeshëm nga ambientalistët. Shefi i pallatit Elize priti në takim 150 francezë të zgjedhur në mënyrë të rastësishme, që punuan për 9 muaj në Konventën për Klimën duke pohuar se tani është koha për të përshpejtuar transformimin ekologjik.

“Shteti do të bëjë të gjithë pjesën e tij. Prandaj duke nisur nga plani i rimëkëmbjes ekonomike që ne po përgatisim, do të vendosim në dispozicion dhe 15 miliardë euro shtesë në dy vitet e ardhshme për të mundësuar tranzicionin ekologjik të ekonomisë sonë”, tha Macron.

Macron shtoi se nuk pranon propozimin për një taksë dividenti 4%, pasi sipas tij, kjo dëmton investimet. Megjithatë tha se dëshiron që të lëvizë shpejt në politik bërjen pro-mjedisit dhe thekson se është i gatshëm të organizojë një referendum për rishikimin e kushtetutës për të vendosur synimet në çështjen e klimës, nëse parlamenti do ta lejojë një gjë të tillë. Kjo qasje ambientaliste e Macron vjen në një koencidencë jo shumë rastësore dhe më shumë duket si kundërpërgjigje për rezultatin negativ të zgjedhjeve lokale, të shënuara nga një abstenim tepër shqetësues prej mbi 60%. Partia e Gjelbër Franceze, e njohur zyrtarisht si Ekologjia Europiane- Të Gjelbërit, surprizuan Macron dhe Francën në votën e së dielës duke marrë drejtimin e qyteteve të mëdha përfshirë Lionin, Bordon dhe Strasburgun, shpesh në aleancë me të majtën. Partia e Macron nuk arriti asnjë fitore të vetme në qytetet e mëdha, një rezultat i cili zbeh shpresat për një rizgjedhje të tij në 2022.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos