Venezuela do të rishikojë marrëdhëniet me vendet e Bashkimit Evropian që kanë njohur liderin e opozitës, Huan Guaido si president të përkohshëm të vendit.
Nikolas Maduro i akuzon këto shtete për mbështetje të një grushti shteti të mundshëm kundër tij. Një sulm më të drejtpërdrejtë pati për kryeministrin spanjoll, nga i cili siç duket nuk e priste këtë vendim.
Duke iu referuar kryeministrit spanjoll, Maduro tha se “i them zotit Pedro Sanchez, nëse një ditë do të ketë kryengritje, nëse do të ketë ndërhyrje ushtarake amerikane, duart e tua do të lyhen me gjak, njësoj si ato të Hoze Mari Aznar në luftën në Irak. Do të njollosen përgjithmonë me gjak dhe historia do t’iu kujtojë ju si kukulla që u vendos në shërbim të politikave ndërhyrëse të Donald Trump”.

Më herët, Franca, Spanja, Britania, Gjermania dhe disa shtete të tjera anëtare të BE-së, koordinuan lëvizjet e tyre duke njohur Guaidon si lider legjitim pas skadimit të ultimatumit 8 ditor për Maduron që të shpallte zgjedhje të parakohshme presidenciale.
Ky i fundit paralajmëroi më herë gjatë një interviste se Venezuela mund të përballet shumë shpejt me një luftë civile të nxitur nga Shtetet e Bashkuara që mbështesin Guaidon. (A2 Televizion)