Magazina plot me mjete që ia shiti shteti, tregtari belg: Tanket e mi mund ta ndihmojnë Ukrainën

Nga A2 CNN
1 Shkurt 2023, 18:06 | Bota

Një tregtar belg, i identifikuar si Freddy Versluys nuk preferon ta cilësojnë një tregtar armësh, edhe pse ai ka një dyzinë me tanke luftarakë, të përdorur, për shitje.

Duke qëndruar pranë dhjetëra tankeve Leopard 1 të prodhimit gjerman dhe automjeteve të tjera ushtarake në një magazinë të ftohtë në Belgjikën lindore, Versluys theksoi se ai është CEO i dy kompanive të mbrojtjes me një gamë të gjerë aktivitetesh, si prodhimi i sensorëve për anije kozmike.

Por blerja dhe shitja e armëve është gjithashtu pjesë e biznesit të tij. Dhe janë tanket që e kanë sjellë atë në qendër të vëmendjes gjatë ditëve të fundit, pasi ai është përfshirë në një betejë publike me ministrin belg të Mbrojtjes, Ludivine Dedonder mbi mundësinë e dërgimit të tyre në Ukrainë.

Ndërsa vendet e tjera perëndimore janë zotuar në javët e fundit të dërgojnë tanke kryesore luftarake për të ndihmuar Ukrainën të zmbrapsë pushtimin e Rusisë, Belgjika nuk i është bashkuar atij grupi, mbi të gjitha për një arsye: Nuk i ka mbetur asnjë tank, pasi ia shiti të fundit që kishte pikërisht kompanisë së Versluys më shumë se pesë vjet më parë.

I pyetur pse i bleu tanket, Versluys, një burrë me flokë të argjendtë në mesin e të 60-ave, tha se ky ishte modeli i biznesit të kompanisë së tij: Ai bleu pajisje ushtarake të padëshiruara me shpresën se dikush tjetër do ta dëshironte atë në të ardhmen.

Ministri Dedonder ka thënë se qeveria ka shqyrtuar idenë e blerjes së tankeve për t'i dërguar ato në Ukrainë. Por ajo i ka kritikuar çmimet e cituara si "të paarsyeshme" dhe "jashtëzakonisht të larta". Tanket e shitura për 10-15,000 euro secila, ofrohen në shitje me 500,000 euro, pavarësisht se nuk janë funksionale.

Vetë tregtari belg citon se firma e tij bleu 50 tanke për rreth 2 milionë euro dhe vetëm 33 ishin të përdorshëm. Kjo do të nënkuptonte një çmim për njësi prej 40,000 euro për 50 tanke, ose rreth 60,600 euro për 33.

NJË TUR NË MAGAZINËN E TANKEVE

Si pjesë e ofensivës së tij publike, Versluys u ka bërë gazetarëve turne në depon e tij në periferi të qytetit provincial të Tournai. I ngjan një hipermarketi ushtarak, i mbushur me linja tankesh “Leopard 1” me kamuflazh jeshil dhe të zi të pluhurosur dhe shumë automjete të tjera ushtarake.

“Leopard 1” është paraardhësi i tankeve “Leopard 2” që Gjermania, Polonia, Finlanda dhe vende të tjera ranë dakord muajin e kaluar për t'i dërguar në Ukrainë. Është më i lehtë se “Leopard 2” dhe ka një lloj tjetër arme kryesore. Modelet në magazinë e Versluys janë përmirësuar për herë të fundit në vitet 1990.

Nëse Belgjika nuk i blen tanket, një vend tjetër mund t'i blejë ato për Kievin. Versluys tha se kishte zhvilluar diskutime me disa qeveri evropiane rreth këtij opsioni. Vitin e kaluar, Britania bleu 46 automjete luftarake këmbësorie nga firma e tij për Ukrainën dhe dërgoi inxhinierë që punonin gjatë gjithë kohës për t'i riparuar ato. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos