
A2 CNN ndodhet në Kiev, për të sjellë dëshmitë e luftës në Ukrainë, që për pak ditë mbush plot 1 vit. Në një intervistë ekskluzive, kryebashkiaku Vitali Klitschko, rrëfen horroret e luftës dhe synimet e errëta të Vladimir Putinit.
A2: Faleminderit që na pritët në bashkinë e qytetit. Një vit më parë thatë që më mirë të vdisnit se të dorëzonit çelësat e qytetit. Kievi u mbrojt si shumë qytete të tjera dhe me një kosto të madhe njerëzore. Pas një viti, si është bilanci i punës suaj si kryebashkiak, vlerësimi për luftën, por edhe si ushtar i përkushtuar i Ukrainës?
Vitali Klitschko: Këtë luftë e kanë vuajtur të gjithë qytetarët e Ukrainës dhe po ashtu nga qytetarët tanë këtu. Qytetit tonë i janë shkatërruar më shumë se 700 ndërtesa, 417 ndërtesa banimi. Janë vrarë më shumë se 150 civilë, 4 prej tyre fëmijë. Është shkatërruar jeta normale e miliona njerëzve në Ukrainë, por gjithashtu edhe në Europë. Kemi sfida të shumta tani. Dëshira kryesore për çdo ukrainas është që të ndalojë kjo luftë pa kuptim dhe të jemi një vend i pavarur. Arsyeja që ka nisur kjo luftë e pakuptimtë është pikërisht dëshira jonë për t’u bërë pjesë e familjes europiane. Rusët duan të na kthejnë sërish nën perandorinë ruse.
A2: Ju, presidenti Zelensky dhe figura të tjera në Ukrainë keni pak njohuri ushtarake, ose fare. Si mund të udhëhiqni një luftë të vërtetë me kaq saktësi kundër një superfuqie si Rusia?
Vitali Klitschko: Në fakt, të gjithë flasin për Rusinë si një superfuqi. Por forcat tona kanë shkatërruar njësi shumë të mëdha të ushtrisë më të fuqishme në botë. Kemi mbrojtur pa pushim vendin tonë. Sigurisht, rusët kanë shumë kapacitete, kanë shumë njerëz, shumë armë, por përparësia kryesore në çdo luftë, është vullneti dhe shpirti. Ne jemi në shtëpinë tonë, në vendin tonë, atdheun tonë. Mbrojmë familjet e fëmijët tanë, të ardhmen tonë. Ushtarët ukrainas janë shumë të motivuar. Ushtarët rusë luftojnë për para. E shihni ndryshimin? Të vdesësh për para, apo të vdesësh për të mbrojtur familjen? Ky është ndryshimi më i madh mes ushtarëve rusë dhe ukrainas. Ne jemi shumë të motivuar. Kjo është shumë e rëndësishme. Por gjithashtu, varet dhe nga armët. Armët moderne, të cilat marrim nga partnerët tanë dhe po mbrojmë vlerat demokratike. Dëshira jonë është të ndërtojmë një vend demokratik. Rusët nuk e pranojnë këtë dhe duan të na kthejnë sërish nën perandorinë ruse. Nuk duam të jetojmë nën një regjim autoritar, si në Rusi. E shohim të ardhmen si pjesë e familjes europiane, prandaj po luftojmë për këtë. Prandaj kemi motivim të madh. Prandaj jam mëse i sigurt që rusët do të shkelin të gjitha ligjet ndërkombëtare, do të tregojnë fytyrën e vërtetë të këtij operacioni special. Kanë vrarë me mijëra civilë. Pamjet e tmerrshme nga Buça u panë nga e gjithë bota. Pamjet e tmerrshme nga Kharkivi, Mariupoli dhe qytete të tjera në atdheun tonë. Prandaj, rusët nuk kanë superfuqi. Ne do të mbrojmë vendin tonë dhe jemi më se të sigurt për këtë. Do ta fitojmë këtë luftë sepse është e ardhmja jonë.
A2: Të jesh në luftë është si të jetosh me vdekjen. Të shohësh vdekjen e kaq shumë njerëzve në rrugë, por edhe me pasigurinë që nesër mund të jeni në rrezik edhe vetë. Si arrini t’i motivoni njerëzit. T’u fitoni besimin e t’i shtyni që të japin më të mirën për vendin?
Vitali Klitschko: Unë s’kam nevojë ta motivoj popullin, sepse populli është vetë shumë i motivuar. Kam me mijëra raste. Njerëzit nga shtëpitë vijnë me propozimin për t’u bashkuar. Civilë që s’kanë marrë ndonjëherë armë në dorë, më pyesin se ku janë armët. Nuk duan të ikin nga qyteti. Nuk duan të lënë vendin. Duan të jetojnë në një vend europian e demokratik, në Ukrainë. Ne jemi një popull paqësor. Ukraina ka qenë gjithnjë vend paqësor. S’kemi qenë asnjëherë agresivë me dikë. Por tani s’kemi rrugë tjetër. Duhet të mbrojmë shtëpinë tona, familjet tona.
A2: Para shumë kohësh, në një intervistë, thatë që është si një ëndërr e keqe që po zgjat shumë. Jeni përshtatur në këtë ëndërr. A keni një plan për t’u zgjuar?
Vitali Klitschko: Sigurisht. Po flasim me partnerët, me qytetarët tanë. Po mendojmë që sot për të nesërmen. Shpresojmë të gjithë që kjo luftë të mbarojë brenda këtij viti. Përgjigjja më e mirë është suksesi i Ukrainës për miqtë tanë. Suksesi i Ukrainës është përgjigjja më e mirë dhe për rusët. Suksesi politik, ekonomik, dhe prandaj do të përpiqemi të zhvillojmë vendin, të zbatojmë reformat, të shohim vendin tonë si pjesë e familjes europiane me standardin e jetës europian. Ky është qëllimi ynë.
A2: Kur e sheh nga jashtë, Ukraina është çdo ditë një kronikë lufte. Ju mbroni veten dhe sulmoni rusët, teksa bota ju sheh nga lajmet. Si është ndihma nga vendet e BE-së në këtë luftë? Brenda Ukrainës, por një hap larg kufijve të BE-së.
Vitali Klitschko: Nuk kemi rrugë tjetër. Duhet të luftojmë dhe duhet të mbrohemi. Duam të falënderojmë çdo vend që ka ndihmuar Ukrainën. Pushtimi i Ukrainës është drama më e madhe në kohët moderne. Dëshira jonë për çdo partner... Ukraina është vendi më i madh në Europë. Destabilizimi në Ukrainë sjell destabilizim në të gjithë rajonin. Prandaj, çdo vend europian gjithashtu dëshiron që të kthehet paqja në Europë. Prandaj duhet ta bëjmë. Tani s’kemi rrugë tjetër. Duhet të mbrojmë me armë pavarësinë, integritetin territorial. Prandaj i falënderojmë të gjithë që ndihmojnë Ukrainën. Sepse pa mbështetje ekonomike, pa ndihmë me armë, nuk mbijetojmë dot. Prandaj falënderojmë dhe një herë të gjithë ata që ndihmojnë Ukrainën dhe dëshirën tonë për të qenë një vend europian demokratik.
A2: Pra, lufta s’është vetëm midis Ukrainës dhe Rusisë, por ndikon dhe vendet e tjera europiane.
Vitali Klitschko: Ishte gabimi më i madh. Shumë politikanë thanë se rusët do të kënaqeshin me Krimenë. Por e kemi parë që s’janë të kënaqur me aq. S’janë të kënaqur as me aneksimin e Donetskut dhe Luhanskit. Putin do të pushtojë Ukrainën. Dëgjojmë dhe fjalime nga Moska që flasin për Poloninë, vendet baltike, ish-perandorinë sovjetike. U kam thënë gjermanëve të mos harrojnë që një pjesë e Gjermanisë ishte gjithashtu pjesë e perandorisë sovjetike, ku Putini punonte si një agjent i KGB-së para shumë vitesh. Prandaj, tani është çështja e vlerave. Kjo është luftë midis vlerave. Midis demokracisë dhe diktaturës. Nuk duam të jemi nën diktaturë. E shohim të ardhmen si pjesë e botës demokratike. Prandaj falënderojmë të gjithë ata që mbështesin ukrainën.
A2: Rusia përmend fjalën “territor ukrainas”, por jo “popull ukrainas”. Duket më shumë si gjenocid që ka ndodhur dhe më parë në republikat sovjetike.
Vitali Klitschko: Përgjigjja e qartë është që Putini do pronë. Putini do territor. Putini do Ukrainën, pa ukrainasit.
A2: Ukraina po lufton për veten, por mbahet fort te demokracia botërore. Çfarë prisni nga faktori ndërkombëtar dhe sa po e ndihmon perëndimi Ukrainën në këtë luftë?
Vitali Klitschko: Ne e vlerësojmë ndihmën ushtarake, ndihmën mjekësore, që kanë pranuar refugjatët tonë dhe për të gjithë mbështetjen që kemi marrë në Ukrainë. Sepse tani po luftojmë dhe nuk po mbrojmë vetëm Ukrainën. Po mbrojmë të njëjtat vlera, po mbrojmë edhe vendet e tjera të Europës. Sepse jam i sigurt që Putini do të vazhdojë derisa të mundet. Prandaj e paraqit veten si kërkues i pronës ruse. Në perandorinë sovjetike ishte edhe Çekia, Slovakia, Hungaria, Polonia, prandaj ëndrra e tij më e madhe... Putini ka thënë që katastrofa më e madhe ka qenë shpërbërja e Bashkimit Sovjetik. Dëshira e tij është për të rindërtuar perandorinë sovjetike. Prandaj sheh çdo gjë si pronë ruse.
A2: Luftërat zgjatin me vite. Më 24 shkurt, shënohet një vit. Ka ndonjë zgjidhje për këtë luftë apo do të vazhdoni në limitet e mbijetesës? A ka rrezik që të përfshihen dhe palë të tjera në këtë luftë?
Vitali Klitschko: Rusët tani flasin për zgjidhje. Thonë: “Le të gjejmë një zgjidhje. Një kompromis.” Jemi gati të flasim për këtë, por s’është kompromis dhe as zgjidhje që t’i japësh Rusisë një pjesë të territorit të Ukrainës. Tani po mbrojmë vlerat ndërkombëtare, vlerat demokratike. Lufta nuk është vetëm kundër Ukrainës, por kundër vlerave. Këtë duhet ta kuptojnë të gjithë në Europë. Nëse dikush e sheh luftën tani larg vetes, dhe mendon se lufta nuk e prek, ky është gabimi më i madh. Kjo luftë ka prekur tashmë çdo njeri në kontinentin e Europës. Kjo luftë mund të prekë të gjithë botën. Mos harroni që kemi pesë centrale bërthamore në Ukrainë dhe një prej tyre, më e madhja në Europë, mori zjarr, në Zaporizhia. Po të shpërthejë do të jetë tragjedi për të gjithë luftën. Në atë rast, kjo luftë do të prekte çdo njeri në planetin tonë. Prandaj duhet të bëjmë gjithçka të mundur për ta ndaluar këtë luftë të pakuptimtë. Rusët duhet të largohen nga Ukraina dhe duhet të rikthejmë paqen. Por tani, rusët s’kuptojnë asnjë gjuhë tjetër. Kuptojnë vetëm pushtetin. Prandaj, duhet të mbrojmë atdheun. S’kemi rrugë tjetër. Të gjithë në Europë, nëse kemi të njëjtat vlera ndërkombëtare, ju lutem, mbështeteni Ukrainën. Është kyçi për paqen dhe lirinë në Europë.
A2: Një vit më parë, kur nisi lufta, ndoshta ishit i papërgatitur. Por tani që keni krijuar njohuri, si është tani, kur flasim për luftën?
Vitali Klitschko: Nuk është çështja për kombësitë. Nuk është çështje kombesh. Nuk është çështje fetare. Është çështje vlerash. Mos harroni, në Ukrainë ekzistojnë më shumë se 70 kombësi. Njerëzit flasin gjuhë të ndryshme, kanë kisha të ndryshme. Tani për tani, rusët po përpiqen të gjejnë justifikime sikur po mbrojnë popullsinë ruse. Unë jam gjysmë rus. Mamaja ime është ruse. Nuk është luftë kundër rusëve. Është luftë kundër politikës agresive ruse, të cilën po e bën zoti Putin.
A2: Si është dita ushtarake e Vitali Klitschko-s, edhe pse duhet të bëni kryebashkiakun?
Vitali Klitschko: Unë nuk jam një ushtarak profesionist. Jam përgjegjës për shërbimet e qytetit tonë. Është gjenocid dhe terrorizëm. Rusët hodhën raketa për të shkatërruar infrastrukturën civile në mes të dimrit. Shkatërruan centralet energjetike. Na lanë të ngrijmë nga i ftohti, u përpoqën të na lënë pa ujë, pa ngrohje, pa elektricitet. Çdo ditë, nga mëngjesi deri në darkë, duhet t’ua garantojmë njerëzve tanë këto shërbime. Është përgjegjësia jonë të ofrojmë shërbimet. Mos harroni, ju lutem, që Kievi është qyteti më i madh në Europën Lindore. Tani, në qytetin tonë, janë pothuajse 4 milionë banorë. Prandaj është përgjegjësi e madhe të ofrosh shërbimet mjekësore, arsimin, shërbime dhe shumë gjëra të tjera që kam nën përgjegjësi. Është punë 24 orë në ditë. U bë një vit që luftojmë për të mbijetuar. Sigurisht, s’ishim të përgatitur për këtë luftë. Nuk prisnim që lufta të ndodhte në atdheun tonë. Por tani s’kemi rrugë tjetër. Duhet të luftojmë e të mbrojmë shtëpitë tona, qytetet tona, atdheun tonë.
A2: Nën 500 vite pushtim nga perandoria osmane, Shqipëria, vendi im, pati çastin e lavdisë për 25 vite, kur nën udhëheqjen e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, u përball me perandorinë osmane. Ai tha që bashkimi sjell fuqinë. Sa e ndjen bashkimin Ukraina sot. Tanket që po vijnë nga Europa, a janë shenjë bashkimi? Jo vetëm nga Europa, por dhe nga SHBA-ja.
Vitali Klitschko: Bashkimi rreth Ukrainës është çelësi për paqe dhe liri. Rusët nuk kuptojnë gjuhë tjetër. Duhet të jemi të fortë. Prandaj, vetëm kështu mund të respektojnë Ukrainën. Prandaj është shumë e rëndësishme të jemi të fortë, është shumë e rëndësishme të kemi armë moderne. Është shumë e rëndësishme të tregojmë pjekuri, të jemi të bashkuar. Është çelësi për paqe dhe liri. Nuk jemi agresivë ndaj rusëve. Por tani duhet të mbrojmë vendin tonë dhe të mbajmë ushtarët rusë larg atdheut tonë. Është përparësia jonë.
A2: Siç thatë, për largimin e tyre. Klitschko ka treguar një grusht të hekurt në ringun e boksit. Sa i hekurt është Klitschko sot në luftën për Ukrainën dhe Europën?
Vitali Klitschko: Kudo, në sport e në jetë, në beteja, në luftë, përparësia kryesore është dëshira për të fituar. Shpirti luan një rol shumë të rëndësishëm. Është shumë e rëndësishme të kesh një ekip të mirë rrotull. Njerëz të mirë e të përgjegjshëm. Prandaj, kjo është detyra jonë kryesore. Në sport duhet të kesh njerëz të mirë pranë, dhe vetëm ashtu mund të kesh sukses. Në jetën normale është e njëjta gjë. Duhet të kesh njerëz të mirë që kanë njohuri, që janë profesionistë në çdo drejtim. Nëse punon me të fortët, do të jesh i fortë. Prandaj vendosim njerëz të fortë në bashki, në qytetin tonë, në vendin tonë. Është shumë e rëndësishme. Puna në ekip. S’mund ta bësh vetëm. S’mund të luftosh vetëm. Ke nevojë për njerëz të mirë rreth e rrotull, që kanë shpirt të mirë, njohuri dhe që të jenë të motivuar. Prandaj po luftojmë ende. Nga karriera ime e mëparshme, një mësim është i qartë. Po nuk luftove, nuk fiton. Tani po luftojmë për të ardhmen tonë, për të ardhmen e fëmijëve tanë, prandaj jam më se i sigurt që do ta fitojmë këtë luftë të pakuptimtë. Do t’i mbajmë rusët larg e do të vazhdojmë të luftojmë për pavarësinë tonë, për të ardhmen e fëmijëve tanë. Jam më se i sigurt që do të fitojmë. I falënderoj shumë të gjithë që na mbështesin.
A2: Falemnderit! (A2 Televizion)