
Pandemia ka patur pasoja jo vetëm brenda secilit vend, përfshirë atë tonin, por edhe në bashkëpunimin rajonal.
Sipas sekretares së përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, e intervistuar në absolut 4”, thotë se “jemi në të njëjtën barkë, duke patur parasysh procesin e vaksinimit. Të njëjtat biseda që bëjmë ne janë edhe ato që dëgjohen në BE, pyetja e parë është a do të vaksinoheni, kur do të vaksinoheni, si po shkon vaksinimi. Por situata e pandemisë ka krijuar një gjendje më problematike në rajonin tonë”.
Sipas Bregut, “Ka procese që janë vështirësuar, por ka edhe elemente shpresëdhënëse të solidaritetit. Fakti që në Ballkan e kemi të pamundur të blejmë vaksinat tek e tek është sepse vendet e vogla nuk janë treg interesant, dhe kudo vende të vogla tentojnë të rrisin nivelin e bashkëpunimit për të përballur më mirë situata si kjo e pandemisë”.
Mungesa e dinamikave bashkëpunuese midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian po nxehin debatin për rritjen e ndikimit rus dhe kinez në rajon. Sipas Bregut, ky është rezultat i emergjencës, dhe ndikimi tregtar i Bashkimit Europian nuk vihet në dyshim.
“Ekziston një shprehje, që rreziku rus është i mbivlerësuar, ndërkohë që ai kinez është i nënvlerësuar. Kina ka vite që investon në Ballkan, por asnjëherë as Kina as Rusia nuk e kanë dominuar tregun, nuk ka konkurrencë sepse BE ka rreth 70% të tregut. Por në këtë situatë, kishte shumë të panjohura për vaksinat, qeveritë kanë një përgjegjësi dhe kur shohin që situata bëhet e pamundur, ka edhe zgjedhje të tjera, si ajo kineze, ruse madje edhe indiane. Vendime që mund të bien ndesh marrëveshjes me BE, por emergjenca ka krijuar shtigje të reja për të cilat nuk besoj se tani BE mund të kërkojë llogari", deklaroi Bregu. (A2 Televizion)