Makinat e atentateve, nga janari në prill 24 mjete të vjedhura! Autorët synojnë automjete luksi

Nga A2 CNN
15 Qershor 2023, 16:34 | Kronikë
Makinat e atentateve, nga janari në prill 24 mjete të vjedhura!

24 automjete u vodhën nga 1 janari i këtij viti e deri në fund të muajit prill ndërsa policia ka zbuluar autorët e vetëm 11 prej tyre.

Shifrat e vjedhjes nuk janë shumë të larta krahasuar me vitet e mëparshme, por dukshëm tani shënjestra është te makinat luksoze, të cilat në më të shumtën e rasteve përdoren dhe në ngjarje kriminale.

Në vitin 2021 në të gjithë vendin u vodhën 67 automjete ndërsa policia zbuloi 18 raste. Viti 2022 regjistroi dhe numrin më të lartë të automjeteve të vjedhura me 119 dhe 47 autorë të arrestuar.

Nga rastet e denoncuara vihet re se makinat me të preferuar për t’u vjedhur janë ato të prodhuara vitet e fundit. Në ngjarjen e fundit kriminale në Tiranë në zonën e “Don Boskos” makina ishte e tipit BMË. Pre e vjedhjes së makinave janë bërë dhe ato tip Fuoristradë si rasti i “Range Rover” në parkingun e Rinasit pak ditë më parë, por edhe sulmit ndaj televizionit Top Channel, ku u përdor e njëjta markë furositrade.

Ndonëse një pjesë e tyre çmontohen dhe shitën për pjesë, automjetet kryesisht u vihen në dispozicion grupeve kriminale. Burime pranë policisë thanë se përdorimi i këtyre mjeteve fillon kur bëhen më shumë se 6 muaj nga vjedhja, ndërsa targat e përdorura janë sërish të marra nga automjete të tjera.

Nga janari e deri në prill janë denoncuar 25 targa të vjedhura çka korrespondon dhe me numrin e automjeteve të vjedhura. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos