Mali i Zi dëbon ambasadorin serb, kundërpërgjigjet Serbia

Nga A2 CNN
29 Nëntor 2020, 10:19 | Ballkani
Mali i Zi dëbon ambasadorin serb, kundërpërgjigjet Serbia

Qeveria e Malit të Zi ka shpallur non grata ambasadorin e Serbisë dhe i ka kërkuar që të largohet nga vendi. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Jashtme malazeze më 28 nëntor, që citon se arsyet e këtij vendimi janë ndërhyrjet e vazhdueshme në çështjet e brendshme të Malit të Zi.

Por Serbia i është kundërpërgjigjur disa orë më vonë duke e shpallur ambasadorin e Malit të Zi, po ashtu person të padëshiruar dhe duke e dëbuar nga vendi.

Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme malazeze thuhet se ambasadori serb, Vladimir Bozhoviq ka treguar mosrespekt për Malin e Zi, duke e përshkruar vendimin e vitit 1918 për t’iu bashkuar atëkohë Mbretërisë së dominuar nga Serbia si akt të çlirimit dhe vullnetit të lirë nga malazezët.

Parlamenti i Malit të Zi e ka shpallur këtë vendim si të pavlefshëm më 2018, duke thënë se i ka hequr Malit të Zi sovranitetin e vet.

Në deklaratë është thënë se komentet e Bozhoviqit më 27 nëntor kanë qenë të papërshtatshme me standardet e zyrës diplomatike.

Ministria e Jashtme e Serbisë ka njoftuar përgjigjje reciproke.

“Për shkak të shpalljes së ambasadorit të Serbisë në Malin e Zi, Vladimir Bozhoviq, person të padëshiruar, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka vepruar në mënyrë reciproke”, është thënë në deklaratën e kësaj ministrie.

Media shtetërore ka raportuar se ambasadorit malazez Tarzan Millosheviq i është kërkuar të largohet nga Serbia brenda 72 orëve.

Mali i Zi vazhdon të jetë thellësisht i ndarë në mesin e njerëzve që kërkojnë lidhje me aleatët tradicionalë, Serbinë dhe Rusinë, si dhe ata që e shohin Malin e Zi si shtet të pavarur, të lidhur me Perëndimin.

Mali i Zi dhe Serbia kanë qenë pjesë e një shteti të përbashkët deri para mbajtjes së referendumit për pavarësi më 2006, që ka rezultuar me ndarje të Malit të Zi nga Serbia.

Ky shtet tani do të drejtohet nga një koalicion pro-serb, që pritet të votohet gjatë seancës parlamentare javën ardhshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos