
Në mbledhjen e dytë të Këshillit të Rregullores për pavlefshmërinë e pretenduar nga demokratët të mandatit të ministres Olta Xhaçka, nuk munguan debatet. Opozita kërkon ndërprerjen e mandatit të saj si deputete, duke e gjetur në konflikt me statusin si investitor strategjik të bashkëshortit të ministres.
“Çfarë pasurie shteti ose pushteti vendor përdor ajo personalisht referuar kushtetutës? pyet Bushka.
“Zonja Xhaçka është aksionere në vlerë të barabartë me bashkëshortin e saj në çdo pasuri të dhënë gjatë martesës”, deklaroi Bardhi.
“Që fitimi nuk ka ndodhur, që do të thotë se nuk jemi para parashikimit të nenit 70, pika 3 që kërkesa juaj nuk është e bazuar në kushtetutë”, u përgjigj Balla.
“Kam përshtypjen që doni ta mbuloni me tis errësire këtë” shtoi Alibeaj.
Demokratët kërkuan t’i hapet rrugë dërgimit të çështjes në gjykatën kushtetuese por kundërshtitë e socialistëve sollën debate akoma më të forta që detyruan kryetaren Lindita Nikolla të ndërpriste mbledhjen.
Gjakrat u qetësuan pas rifillimit të punimeve. Socialistët pranuan kërkesën e demokratëve për të thirrur në mbledhjen e ardhshme ministren Xhaçka, me qëllim që të njihen me qëndrimin e saj, kërkesë të cilën e kishin kundërshtuar një javë më parë.
Një përgjigje ministrja e dha në konferencën për shtyp përkrah kryeministrit Edi Rama ku mori edhe mbështetjen e tij.
“A ka apo jo të drejtën një biznes privat të hapë apo jo çadra në një plazhin që nuk tjetërsohet, është pronë publike dhe ngatërroni përdorimin për përfitim me servitudën e kalimit apo daljes në det për klientët e çdo hoteli në bregdet”, tha Xhaçka.
“Të kërkosh këtu konflikt interesi, do të thotë faktikisht të kërkosh të zhveshësh nga e drejta e pronës private njerëz, të cilët janë në punën e tyre dhe këtu s’ka asnjë përfitim” tha Rama.
Ministrja Xhaçka dhe Kryeministri theksuan se për çështjen është mirë që të shprehen institucionet. (A2 Televizion)