
Për analistin Lutfi Dervishi ndryshimet e fundit të kabinetit Rama kanë qenë të konsoliduara ndërsa thekson se shqetësimi më i madh më i madh i kryeministrit ishte partia dhe jo qeveria.
Në Ditarin e Mbrëmjes në A2CNN, Dervishi deklaroi se fakti që Taulant Balla mbeti pa ndonjë vend në ekzekutiv ishte një lloj ndëshkimi.
“Ky është një kabinet i krijuar pa presion dhe pa surpriza. Nëse i gjykojmë tashmë, meqë është në mandatin e tretë, lëvizjet e kabinetit “Rama” sidomos në mandatin e dytë, ato lëvizjet që ishin të befta dhe që ofruan surpriza ishin ato të bëra në presion. Ndryshimet e fundit të kabinetit Rama 2 duket që kanë qenë dhe të konsoliduara dhe kjo tregon që shumë ministra i ruajtën portofolet. Në dikasteret kryesore nuk pati asnjë ndryshim. Qeveria e bazoi fushatën në menaxhimin e krizave dhe kjo tregon dhe ngritjen e Ahmetajt në postin e zv/kryeministrit. Duket sikur shqetësimi më i madh i kryeministrit ishte partia dhe jo qeveria. Nëse analizon fjalimin, nuk ishte mandati i tretë, por i katërti në fokusin e tij. Ajo që prodhoi surprizë ishin emrat në parti. Më shumë u ndryshua partia sesa debati për qeverinë. Siç u pa nga Asambleja të gjithë nuk kishin asnjë siguri se do të konfirmoheshin apo do të largoheshin, çka tregon se pozicioni i partive shqiptare, fuqia e tyre mbetet te lideri.
Lëvizja është shumë e qartë. Taulant Balla nga pozicioni që kishte si sekretar i përgjithshëm i partisë, kryetar i grupit parlamentar dhe kryesues i qarkut të Elbasanit, praktikisht ka mbetur vetëm kryetar grupi dhe në një farë mënyrë është një lloj ndëshkimi, në sensin që nuk i ka “dy kunguj nën një sqetull”, por Damian Gjiknuri ka “dy kunguj”. Qartësisht kjo nuk ishte ajo që ka pritur Taulant Balla. Ai ndoshta ka pritur postin e kryetarit të Kuvendit ose një vend në ekzekutiv për shkak të posteve që ka mbajtur. Ndonjëherë duhet bërë dhe ndonjë lexim mbi sjelljen. Disa ministra që kanë qenë të përunjur janë konfirmuar dhe kjo nuk ka ndodhur me të tjerët. Duhet parë dhe sjellja që zyrtarët e lartë të PS kanë në publik.”, u shpreh Lutfi Dervishi. (A2 Televizion)