Maqedonia e Veriut dhe Gjeorgjia, "betejë" për biletën e Evropianit

Nga A2 CNN
12 Nëntor 2020, 11:21 | Futboll
Maqedonia e Veriut dhe Gjeorgjia, "betejë" për biletën

Do të ishte Kosova skuadra që, këtë të enjte, do të luante në një përballje historike me Gjeorgjinë, në një prej finaleve të Ligës së Kombeve, nëse do të triumfonte në aktin gjysmëfinal, megjithatë një tjetër përfaqësuese e mbushur me futbollistë me origjinë shqiptare do të ketë shansin të prekë suksesin e jashtëzakonshëm.

Maqedonia e Veriut sfidon Gjeorgjinë për biletën që vlen finalet e Kampionatit Evropian, të zhvendosur në vitin e ardhshëm. Visar Musliu, Arjan Ademi apo dhe talente të mirënjohur që aktivizohen në Spanjë e Angli, si Enis Bardhi apo Ezgjan Alioski, do të kërkojnë të lënë edhe një herë tjetër gjurmë kuqezi në Evropian pavarësisht se përfaqësojnë një tjetër komb.

Kombëtarja maqedonase mundi pikërisht dardanët e Kosovës, më 10 tetor, për mbërritur në finale dhe tashmë kërkon të shkruajë historinë duke u kualifikuar për herë të parë në Kampionatin Evropian të futbollit.  

Përballë tyre është Gjerorgjia, rival aspak i panjohur, teksa të dy këto përfaqësuese u pozicionuan në të njëjtin grup këtë edicion të Ligës së Kombeve. Të dyja takimet e luajtura mes tyre përfunduan në barazim 1-1.

Gjeorgji-Maqedoni e Veriut luhet në Tbilisi, në orën 18:00, ndërkohë për një biletë në finalet e Evropianit luftohet edhe në sfidat Hungari-Islandë, Irlandë e Veriut-Sllovaki si dhe Serbi-Skoci. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos